
Ekuipazhet e avionëve të pasagjerëve trajnohen rregullisht edhe për situata që lidhen me kërcënime për bombë. Për raste të tilla ekzistojnë plane emergjence, të cilat pilotët dhe stjuardesat duhet t’i zbatojnë sipas procedurave të përcaktuara. “Bëhet fjalë për të ruajtur qetësinë dhe për të hartuar një plan veprimi”, thotë piloti me përvojë i avionëve Boeing, Matthias Baier.
Nëse avioni ndodhet tashmë në ajër, zakonisht, në varësi të nivelit konkret të kërcënimit, ai devijohet drejt aeroportit më të afërt të përshtatshëm për të kryer evakuimin e pasagjerëve. Ky vendim merret në koordinim me kontrollin e trafikut ajror dhe autoritetet kompetente të sigurisë.

A informohen pasagjerët në rast të një kërcënimi?
Nëse dhe kur pasagjerët informohen për kërcënimin, varet nga situata konkrete. Prioriteti kryesor është që ekuipazhi të mund të zbatojë në mënyrë të rregullt dhe të sigurt masat e nevojshme të sigurisë.
Në varësi të procedurave që zbatohen, mund të merren edhe masa të tilla si çaktivizimi i internetit në bord (Wi-Fi) dhe i mundësive për karikimin e pajisjeve elektronike.
Po ashtu, në kushte të përshtatshme fluturimi, mund të parashikohet edhe zvogëlimi i diferencës së presionit midis kabinës dhe ajrit të jashtëm, me qëllim kufizimin e pasojave të mundshme të një shpërthimi. Një barazim i papritur i presionit do t’i përkeqësonte efektet e një shpërthimi.
Çfarë ndodh nëse në bord gjendet një mjet i dyshuar shpërthyes?
“Ne nuk jemi ekspertë të eksplozivëve, por natyrisht duhet të bëjmë gjithçka që pasojat e një shpërthimi të mundshëm të jenë sa më të vogla”, thotë piloti Matthias Baier.
Për trajtimin e objekteve të dyshimta ekzistojnë procedura të posaçme, për të cilat ekuipazhet trajnohen paraprakisht. Masat konkrete që ndërmerren varen nga situata specifike dhe nga udhëzimet e prodhuesit të avionit. Qëllimi kryesor është të kufizohen sa më shumë që të jetë e mundur pasojat e mundshme për personat në bord dhe për vetë avionin.

