Ka ndërruar jetë në spital personi i dyshuar për vrasjen e gjashtë personave në qytetin e Krakovit, në Poloni. Lajmi është konfirmuar nga policia polake, një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi vendin.
24-vjeçari ishte plagosur nga efektivët e policisë gjatë përpjekjeve për ta arrestuar, pas sulmit me armë zjarri në sheshin kryesor të qytetit. Ai ishte transportuar në spital në gjendje kritike, ku pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore dhe disa operacioneve, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, rreth orës 15:00, kur 24-vjeçari, i veshur me rroba ushtarake dhe i pajisur me jelek antiplumb, hyri me automjet në sheshin kryesor të Krakovit dhe hapi zjarr ndaj personave që ndodheshin aty.
Si pasojë, gjashtë persona humbën jetën, mes tyre katër gra dhe dy burra, ndërsa rreth 15 të tjerë mbetën të plagosur. Në mesin e viktimave ishte edhe një shtetas britanik 32-vjeçar.
Gjatë ndërhyrjes, autori i dyshuar shkëmbeu zjarr me policinë, duke plagosur edhe dy efektivë, të cilët u dërguan në spital.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se 24-vjeçari ishte i ndikuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë dhe mbante pikëpamje radikale ultranacionaliste. Prokuroria polake ka hapur një hetim për akt terrorist, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin plotësisht motivet e sulmit.
Ndërkohë, një tjetër detaj tronditës u zbulua gjatë hetimeve. Në banesën e të dyshuarit, në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, policia gjeti të pajetë tre familjarët e tij: babanë, nënën dhe motrën 21-vjeçare. Autoritetet dyshojnë se edhe ata janë vrarë me armë zjarri, por mbetet për t’u përcaktuar nëse vdekjet e tyre lidhen drejtpërdrejt me sulmin në Krakov.
Polonia ka shpallur dy ditë zie kombëtare në nderim të viktimave. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje, e cila konsiderohet ndër sulmet më të rënda me armë zjarri në vend që prej rënies së komunizmit në vitin 1989.
