Kurti takon mërgatën në Francë, prezanton mbështetjen për investimet e diasporës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të dielën pjesëtarë të mërgatës shqiptare në Francë, me të cilët ka diskutuar për përfshirjen më të madhe të diasporës në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, si dhe për mundësitë e investimeve në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se përfshirja e bashkatdhetarëve në institucionet e Kosovës do të kontribuonte në forcimin e tyre përmes përvojës, ekspertizës dhe kulturës së punës që diaspora sjell nga vendet e zhvilluara.
Ai ka bërë të ditur se përmes mekanizmit “Dritarja për Investime të Diasporës” do të mbështeten ndërmarrësit nga mërgata që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.
Sipas Kurtit, shteti do të shërbejë si garant për kreditë që merren për këto investime, duke lehtësuar kështu realizimin e projekteve të tyre.
Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe Programin 1 Miliard Euro për prodhim dhe industri, përmes të cilit, siç tha ai, do të mbështeten projektet strategjike dhe prioritare të industrisë.
“Me këto mekanizma, mërgata lëvizë drejt kapërcimit nga sakrifica për të kontribuuar në investim për të fituar”, ka shkruar Kurti.
Takimi me diasporën në Francë u zhvillua para pjesëmarrjes së tij në Forumin e Paqes në Paris. /Telegrafi/





































