Drejtësia e Paraguajit kontrolloi dje, të dielën, banesën e ish-presidentit Santiago Peña, pranë kryeqytetit Asunción, në kuadër të mbledhjes së provave për falimentimin e bankës Ueno.
Kjo ngjarje çoi në shkarkimin e tij nga detyra dhe arrestimin e tij, njoftoi Prokuroria.
Kriza bankare, e cila që në fillim mori një karakter të theksuar politik, shpërtheu të martën, kur institucioni financiar u vendos nën administrimin e Bankës Qendrore (BCP) dhe në proces likuidimi, për shkak të mungesës së aftësisë paguese.
Kursimet, kartat e kreditit dhe ato të debitit të afro tre milionë klientëve të saj, që përfaqësojnë pjesën më të madhe të popullsisë së rritur të vendit, u bllokuan.
Kontrolli në banesën e Santiago Peñës kishte të bënte me akuzat për “shpërdorim të besimit” dhe “përdorim të fondeve për qëllime personale”, sipas njoftimit të Prokurorisë.
Peña u la në paraburgim të shtunën. Sipas pjesëve të aktakuzës, të siguruara nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), Peña, i cili deri në pranverën e vitit 2025 zotëronte aksione në grupin e investimeve ku bën pjesë banka, akuzohet se ka luajtur një rol qendror në rritjen e jashtëzakonshme dhe përqendrimin e fondeve publike dhe të burimeve të fondeve të pensioneve në bankën Ueno, në një vlerë që kalon 800 milionë dollarë.
Po sipas aktakuzës, në muajin maj, Peña kishte marrë dy kredi nga banka Ueno, në shumën totale prej 500 mijë dollarësh, për të financuar ndërtimin e banesës që iu nënshtrua kontrollit.
Politikani konservator 47-vjeçar, president i Paraguajit që prej vitit 2023 dhe aleat i Uashingtonit, mandati i të cilit normalisht do të përfundonte në vitin 2028, u shpall fajtor unanimisht nga senatorët e pranishëm në gjyqin e tij, për “ushtrim të keq të detyrës”, dhe u shkarkua nga posti.
Më pas, si kryetar i ri i shtetit u betua zëvendëspresidenti Pedro Alliana, i cili urdhëroi që tatimpaguesit e prekur nga falimentimi i bankës, e cila ishte zgjeruar me ritme marramendëse që nga themelimi i saj në vitin 2021 deri në falimentimin javën e kaluar, të mos paguajnë gjoba, kamatëvonesa apo interesa për shkak të vonesave në shlyerjen e detyrimeve të tyre, të shkaktuara nga kjo situatë.
Kreu i ri i shtetit deklaroi se 1,2 milionë depozitues kanë marrë, pjesërisht ose plotësisht, paratë e tyre.
Sipas tij, deri më tani u janë kthyer përfituesve fonde në një vlerë totale prej afro 160 milionë dollarësh.
Procesi i kthimit të parave do të vijojë edhe gjatë kësaj jave.












