VIDEO/ Autori futet në bankë, mbyll derën dhe i vë pistoletën pas shpine rojës. Pamjet e grabitjes në Tiranë, klientja terrorizohet, punonjësit…

09/11/2026 11:32

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka bërë me dije rezultatet e disa operacioneve të zhvilluara së fundmi në kryeqytet, e mes tyre arrestimin e grabitësit të bankës te Komuna e Parisit një javë më parë.

Policia ka njoftuar zbardhjen e dy grabitjeve me armë zjarri në filiale bankare, nga i njëjti autor, Robert Duka 50 -vjeç,  si dhe arrestimin e një shtetasi grek për trafikim të lëndëve narkotike nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.

Po ashtu policia ka publikuar edhe pamjet nga brenda bankës, kur Duka është futur dhe me armë ka kërcënuar punonjësit, duke marrë paratë.

Gjatë kontrolleve, atij iu sekuestruan  8 200 euro, veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale dhe 2 aparate celularë.

Deklarata e plotë:

Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”.

Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë.

Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan ;
– 8 200 euro,
– Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale
– 2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fly”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe autoritetet doganore, bazuar në informacionet e siguruara ushtruan kontroll në bagazhet e pasagjerëve të linjës ajrore Athinë–Rinas.

Gjatë kontrollit, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si lëndë narkotike Cannabis sativa.

Pas veprimeve intensive hetimore u identifikua poseduesi i dyshuar i valixhes, shtetasi grek M. P., 51 vjeç, i cili ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në rrugën e Durrësit, ku u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, dje, nga Strukturat hetimore, u kapën dhe u ndaluan 3 shtetas me masë sigurie “Arrest me burg” konkretisht;
– O.K. 29 vjeç
– G.S. 28 vjeç
– S.H. 20 vjeç

Top Channel