Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka dërguar një letër zyrtare Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku kërkon reflektim institucional dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Europian për funksionimin demokratik të Parlamentit.
Duke iu referuar raportit të KE-së për Shqipërinë, të datës 4 nëntor 2026, Bardhi ngre shqetësimin për dobësimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë, kufizimin e të drejtave të opozitës, politizimin e institucioneve të pavarura dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në letër, ai thekson se gjatë kësaj legjislature mazhoranca ka refuzuar gjashtë kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore dhe 11 interpelanca me Kryeministrin.
Bardhi kritikon gjithashtu mosshqyrtimin e katër projektligjeve të opozitës, të depozituara në qershor 2026, që lidhen me investimet strategjike, zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe Paketën e Maleve.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së ngre shqetësime edhe për mosshqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mungesën e gjithëpërfshirjes në reformat territoriale dhe zgjedhore.
Bardhi i kërkon Peleshit marrjen e masave konkrete për garantimin e kontrollit parlamentar, transparencën legjislative, konsultimin me grupet e interesit, zbatimin e vendimeve të Kushtetueses dhe rikthimin e rolit të opozitës në procesin e integrimit europian.












