Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për dosjen e vrasjeve të Klodian Saliut dhe Vajdin Lames ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005. SPAK ka kërkuar 25 vite burg për Emiljano Shullazin.
Ndërkohë edhe për Lulzim Berishën, Viktor Bajraktarin (Imeraj), Indrit Taullain, Plarent Dervishajn dhe Indrit Rusin është kërkuar 25 vite heqje lirie për secilin. Për Luftar Reçin, Prokuroria e Posaçme kërkon 8 vjet burg, për shkak të statusit të tij si bashkëpunëtor i drejtësisë.
Dënimi i kërkuar nga SPAK:
Viktor Bajraktari (Imeraj) -25 vjet burg
Emiljano Shullazi -25 vjet burg
Indrit Taullai -25 vjet burg
Lulzim Berisha -25 vjet burg
Plaurent Dervishaj -25 vjet burg
Indrit Rusi – 25 vjet burg
Luftar Reçi -8 vjet burg
Vrasja e Klodian Saliut
Klodian Saliu, anëtar i bandës së Durrësit, u vra me 26 shkurt të vitit 2005. Ngjarja ndodhi në autostradën Tiranë – Durrës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj, ku Saliu u qëllua me armë zjarri, teksa ishte duke udhëtuar me makinën tij tip “Mercedes Benz”. Saliu mbeti i vdekur në vend ndërsa u plagos Osman Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës. 24 orë më pas u ekzekutua Vajdin Lamaj.
Si u vra Vajdin Lame?
Presidenti i Federatës së Boksit Vajdin Lame dhe truproja e tij, Artan Arsi, u vranë më 27.02.2005, rreth orës 24.00 në njërën nga kullat mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”. Dy viktimat u vranë me një sasi të konsiderueshme eksplozivi në ashensor. Tritoli ishte i pajisur me telekomandë dhe qe vendosur në një nga anët e ashensorit, duke realizuar shpërthimin në katin e pestë të kullës, ku dhe banonte Lame. Presidenti i Federatës së Boksit humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Arsi gjatë rrugës për në spital.
