Botë e Çuditshme

E pazakontë/I rrëmben telefonin kalimtarit pa e ditur se ishte “ngatërruar” me njeriun e gabuar!

Një gjest i papritur, grabitja e telefonit celular dhe më pas arratisja. Por hajduti nuk e kishte llogaritur se viktima nuk ishte një kalimtar i zakonshëm, por një vrapues amator, në formë të shkëlqyer fizike, i cili e ndoqi për plot 20 minuta, arriti të rimerrte telefonin dhe vuri në lëvizje policinë. Ngjarja, e raportuar nga gazeta L’Eco di Bergamo, ndodhi të enjten, më 5 nëntor, në qytetin Trevilio të Italisë.

Trevilio, vrapuesit i grabisin telefonin, por ai i vihet pas hajdutit 32-vjeçari po kthehej nga puna rreth orës 22:00, kur në një zonë jo shumë larg stacionit të trenit iu grabit telefoni celular. Ai reagoi menjëherë dhe u vu në ndjekje të autorit. “U tregova i pamatur, por në atë moment instinkti më shtyu të ndiqja hajdutin”, rrëfeu 32-vjeçari për gazetën lokale. Sipas tij, kur arriti ta afrohej dhe ishte gati ta kapte, hajduti hodhi telefonin në tokë dhe tentoi të largohej nëpër rrugicat pranë stacionit.

Pasi rimori telefonin, 32-vjeçari vendosi të mos e ndërpriste ndjekjen. Njëkohësisht, ai telefonoi forcat e rendit dhe vazhdoi të ndiqte gjurmët e autorit. Pas rreth 20 minutash, në vendngjarje mbërriti Policia e Shtetit, e cila arriti ta ndalonte të dyshuarin. Më pas, ndaj tij u bë kallëzim penal, ndërsa ai u la i lirë në pritje të procedurave të mëtejshme.