Doktoresha Blerina Gashi, e thirrur si dëshmitare nga mbrojtja e Endrit Nikës, deklaroi se Maria Clara Urdangaray ishte e vetëdijshme dhe komunikonte me ekipin mjekësor pasi kishte rënë nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë. Gashi e kishte shoqëruar pacienten me autoambulancë drejt QKUK-së.
Duke dëshmuar në rigjykimin e Nikës, mjekja e QKMF-së në Fushë-Kosovë tregoi se gjatë transportit kishte biseduar me Urdangaray-n në anglisht. Ajo tha se e kishte pyetur nëse ishte hedhur vetë apo e kishte shtyrë dikush.
Të lidhura
None found
Gashi përshkroi ngjarjet e natës së 1 gushtit 2023, kur ishte njoftuar për rastin dhe kishte shkuar në vendngjarje.
Gashi: Pacientja ishte e vetëdijshme, lëvizte dhe komunikonte
“Isha kujdestare dhe morëm një thirrje se dikush kishte rënë nga kati i gjashtë, ndaj shkuam atje. Pacientja ishte e vetëdijshme, lëvizte dhe komunikonte. E vendosëm në autoambulancë. Gjatë udhëtimit i kishte të lira rrugët e frymëmarrjes dhe nuk i vumë re fraktura të jashtme. I dhamë terapi në autoambulancë dhe gjatë gjithë rrugës folëm me pacienten anglisht”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse Urdangaray i kishte thënë se ishte hedhur ose se dikush e kishte shtyrë, dëshmitarja u përgjigj se pacientja kishte mohuar të dyja mundësitë.
Gashi: Ajo tha “jo” kur e pyeta nëse e kishte shtyrë dikush
“E pyeta për emrin, mbiemrin dhe moshën, si dhe nëse kishte tentuar të hidhej vetë apo e kishte shtyrë dikush. Për të dyja pyetjet u përgjigj ‘jo’”, tha Gashi.
Facundo Urdangaray, babai i viktimës, e pyeti mjeken nëse gjendja shëndetësore mund të shkaktojë konfuzion te një person që bie nga një lartësi e tillë.
Urdangaray: A mund ta bëjë gjendja shëndetësore konfuz një person që bie nga kjo lartësi?
“A mund të shkaktojë konfuzion gjendja shëndetësore dhe të ndikojë në përgjigjet e një personi që bie nga një lartësi e tillë?”, pyeti ai.
Gashi tha se Clara kishte qenë e vetëdijshme edhe pasi ishte dërguar në QKUK.
Gashi: Clara ishte e vetëdijshme edhe në QKUK
“Kjo ndryshon nga personi në person, por nga sa pashë, ajo ishte e vetëdijshme. Edhe në raportin e QKUK-së, ku e pashë, rezultonte se ishte me vetëdije”, deklaroi mjekja.
Kryetari i trupit gjykues e pyeti Gashin se çfarë terapie i kishte dhënë Urdangaray-t dhe çfarë ndikimi kishte ajo. Mjekja tha se trajtimi i dhënë prej saj nuk ia kishte cenuar vetëdijen.
Gashi: Mësova nga kolegët se kishte pasur gjakderdhje të brendshme
“I dhamë tretje fiziologjike, tramadoll dhe metoklopamid. Reagimi ndryshon nga një person te tjetri. Vetëdija ruhet, megjithëse më pas mund të ndikohet, në varësi të lëndimeve. Nga kolegët mora vesh se kishte pasur gjakderdhje të brendshme. Terapia që dhamë nuk ndikoi në konfuzion gjatë pyetjeve të mia”, tha ajo.
Endrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila vdiq në QKUK nga lëndimet e marra pas rënies nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.
Më 19 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Nikën me 18 vjet burgim. Gjykata e Apelit, pasi pranoi ankesën e mbrojtjes, e ktheu çështjen për rigjykim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngriti aktakuzën më 11 shkurt 2025. Sipas saj, më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën, Nika fillimisht e kishte goditur Urdangaray-n dhe ishte përpjekur ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.
Aktakuza pretendon se konflikti vijoi në dhomën e hotelit, ku Nika dyshohet se e goditi dhe e shtyu Urdangaray-n drejt qoshes, duke ia pamundësuar largimin. Prokuroria thotë se ai hoqi kornizën e dritares dhe e hodhi atë nga kati i gjashtë. Lëndimet e pësuara si pasojë e rënies i shkaktuan vdekjen.
Nika akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.







