Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore ka rithyer në tryezën e diskutimeve Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, ndërsa kreu demokrat ka bërë të qarta kushtet e opozitës për këtë reformë.
Berisha ka deklaruar se listat e hapura për zgjedhjet parlamentare dhe për këshillat bashkiakë janë një kërkesë e panegociueshme për opozitën.
Ai tha se hapja e listave është kërkesë edhe e partive të tjera opozitare.
“Në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e Parlamentit për Komisionin e Reformës Zgjedhore, Rama ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme axhendën, me qëllim hedhjen në erë të komisionit. Vendimmarrja në komision bëhet me veto. Vegla e Ramës, Damian Gjiknuri, kërkon të miratojë axhendën pa votën e bashkëkryetarit tjetër. Këtë axhendë pala jonë nuk e pranon, pasi në të janë përfshirë edhe pika që lidhen me Reformën Territoriale.
Ata refuzojnë që listat për këshilltarët bashkiakë të jenë të hapura. Kjo është një kërkesë e të gjitha partive politike opozitare. Ne nuk pranojmë në mënyrë kategorike asnjë lloj liste tjetër përveç listave të hapura për këshilltarët bashkiakë dhe listave plotësisht të hapura për zgjedhjet parlamentare”, tha ai.