Erion Veliaj “çon” çështjen në Bruksel përmes eurodeputetit Gori
Paraburgimi i tij do të diskutohet në Parlamentin Europian
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shpërndarë në rrjetet sociale deklaratat e eurodeputetit italian Giorgio Gori, i cili ka njoftuar se do të ngrejë në Parlamentin Europian çështjen e paraburgimit të zgjatur të kryebashkiakut.
Në një intervistë për gazetën italiane “Domani”, Gori ka bërë të ditur gjithashtu se i ka kërkuar zyrtarisht shpjegime për këtë rast Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
Eurodeputeti italian ka theksuar se nuk disponon informacion të mjaftueshëm për të dhënë një vlerësim mbi fajësinë apo pafajësinë e Veliajt, por ka nënvizuar rëndësinë e respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Sipas Gor-it, rasti ngre pikëpyetje mbi përdorimin e paraburgimit në Shqipëri dhe mungesën e garancive procedurale që ai pretendon se janë të domosdoshme. Ai ka përmendur veçanërisht faktin se, sipas tij, në rastin e Veliajt nuk është zhvilluar as një seancë dëgjimore.
“Një pjesë e madhe e popullsisë së burgjeve mbahet pas hekurave pa pasur një dënim të formës së prerë”, është shprehur eurodeputeti, duke e cilësuar paraburgimin një problem që duhet të trajtohet edhe në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gori ka vlerësuar se procesi i integrimit europian të Shqipërisë po përparon pozitivisht, por ka theksuar se personat nën hetim nuk duhet të mbahen në burg pa respektuar garancitë që parashikon shteti i së drejtës.
Postimi i Erion Veliajt:
Eurodeputeti italian, Giorgio Gori, kërkon shpjegime lidhur me rastin e paraburgimit të zgjatur të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në një deklaratë për gazetën “Domani”, ai ka deklaruar se rasti Veliaj “do të ngrihet edhe në Parlamentin Evropian” dhe se i ka kërkuar zyrtarisht sqarime Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
“Nuk kam informacion të mjaftueshëm për të gjykuar pafajësinë apo fajësinë e Veliajt, por prirem të mbështes parimin e prezumimit të pafajësisë dhe, në këtë rast, mungojnë garancitë minimale. Në këtë rast nuk është zhvilluar as seancë dëgjimore. Rasti bën pjesë në problematikën e paraburgimit, që më duket mjaft patologjike në Shqipëri. Një pjesë e madhe e popullsisë së burgjeve mbahet pas hekurave pa pasur një dënim të formës së prerë. Kjo është një çështje që duhet të ngrihet gjatë negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të cilat, megjithatë, po përparojnë pozitivisht. Sigurisht që ka pasur përparime. Por personat nën hetim nuk mund të mbahen në burg. Rasti Veliaj do të ngrihet edhe në Parlamentin Evropian”.
Deklarata e tij pritet të marrë një dimension institucional nëse çështja e Veliajt diskutohet në Parlamentin Europian, siç ka paralajmëruar vetë eurodeputeti italian.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



