
Transferimi i Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit dhe takimi që ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi me të në ambientet e burgut, janë diskutuar në Komisionin për Çështjet e Brendshme. Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, kërkoi shpjegime nga Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, për rrethanat e transferimit dhe vizitën e ministrit, por kjo e fundit iu referua klasifikimit të dokumentacionit.
Gjatë raportimit në komision, Kapri ngriti edhe shqetësime të tjera për funksionimin e institucioneve penitenciare. Ai kërkoi sqarime për pretendimet mbi takime të paregjistruara mes personave të njohur të botës së krimit dhe të dënuarve të tjerë, si dhe për një dhomë të rikonstruktuar në burgun e Peqinit, të cilën e përshkroi si një ambient luksoz, të ngjashëm me një dhomë hoteli.
Sa i përket rastit të Veliajt, deputeti pyeti nëse transferimi i tij në Fier dhe takimi me ministrin Gogu janë objekt verifikimi. Ai kërkoi gjithashtu të dinte nëse klasifikimi si sekret zbatohet për të gjitha transferimet apo vetëm për rastin e kryebashkiakut të Tiranës.
“Dua të di edhe orën kur ministri ka shkuar në takim me zotin Veliaj dhe takimi është bërë në zyrën e drejtorit të burgut të Fierit. Po e hetoni këtë rast dhe kjo vizitë a po hetohet?”, pyeti Kapri.
Në përgjigjen e saj, Bodo tha se për marrjen e informacionit duhet të ndiqet procedura përmes një kërkese zyrtare. Ajo sqaroi se urdhrat e transferimit klasifikohen si akte me nivel sigurie “i kufizuar” dhe kanë afat ruajtjeje dy vjet, ndërsa raportet, memorandumet dhe vlerësimet individuale të hartuara për transferimet për arsye sigurie klasifikohen si “sekret” dhe ruhen për 10 vjet.
“Të premten firmosa 93 urdhra transferimi, kompetencë e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Me përgjegjësi të plotë ju them se urdhri i transferimit është klasifikuar, futet në kategorinë e akteve të klasifikuara me nivelin e kufizuar dhe me afat ruajtje dy vite. Çdo raport, memo, vlerësim individual mbi rastin që kryhet për shkaqe sigurie futet në kategorinë ‘sekret’ dhe ruhet për 10 vite.
Kjo ka rregullim edhe për se si këto akte vihen në dispozicion. Ndiqni procedurën për çdo kërkesë që doni t’ju vihet në dispozicion”, deklaroi Bodo.
Pas përgjigjes së saj, Kapri këmbënguli për sqarime lidhur me rolin e ministrit të Drejtësisë dhe ligjshmërinë e takimit me Veliajn. Ai pretendoi se ministri nuk mund të zhvillonte një takim të tillë pa marrë leje nga SPAK-u dhe kërkoi që Drejtoria e Burgjeve të reagonte zyrtarisht nëse kishte pasur shkelje ligjore.
“Për Veliajn, më thatë bëni shkresë. Ju thatë se është sekret, por rolin e ministrit nuk morëm përgjigje? E kuptojmë që ai është shefi juaj, por nëse ka shkelje ligjore ju duhet të reagoni zyrtarisht të parët. Pretendohet se i paraburgosuri thotë se ka shantazh, Gogu s’mund ta takojë pa marrë leje nga SPAK, ministri ka shkelur ligjin, ka shpërdoruar detyrën dhe ju keni vendosur që ta shkelni ligjin”, u shpreh deputeti.