Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon Ramën për përfitimin e 221 mijë metrave katrorë në Kanionin e Gjipesë



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe familjarët e tij për përfitimin e një sipërfaqeje prej 221 mijë metrash katrorë në Kanionin e Gjipesë, ku po ndërtohet një hotel. Sipas pretendimeve të tij, toka ka qenë pronë publike dhe është përfituar pas ardhjes së Ramës në pushtet.

Në një konferencë për mediat, Berisha drejtoi akuza edhe ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, duke pretenduar se ai ka përfituar nga prona përmes ndikimit politik të kreut të qeverisë.

Sipas Berishës, trualli nuk ka pasur dokumentacion kadastral arkivor që të vërtetonte pronësinë private, ndërsa procesi i përfitimit të tij ka nisur pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga Edi Rama.

“Aty nxin me të gjithë shëmtinë e tij ndërtimi i hotelit ‘Edi Rama’ në Kanionin e Gjipesë, kanion që në shekuj ka qenë pronë publike. Nuk ka pasur kurrë asnjë pronar, por peshkaqeni Olsi Rama, duke përdorur Edi Ramën, ka përfituar këtë pronë pa dokumente kadastrale arkivore”, deklaroi Berisha.

Ai pretendoi se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 221 mijë metrash katrorë, të ndodhur në një prej kanioneve të bregdetit shqiptar, dhe akuzoi familjarët e kryeministrit për përfitim të paligjshëm të pronës publike.

Gjatë deklaratës, Berisha iu referua edhe njoftimit të SPAK-ut për hapjen e një hetimi lidhur me dosjen e njohur si “Albanian Files”. Ai shprehu skepticizëm për mundësinë që hetimet të çojnë në penalizimin e kryeministrit Edi Rama.