Debate në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Gjiknuri akuzon opozitën për bllokim, Bylykbashi: PS nuk ka vullnet për rekomandimet e OSBE/ODIHR

Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore është shoqëruar me debate mes bashkëkryetarit socialist Damian Gjiknuri dhe atij demokrat Oerd Bylykbashi.
Në fokus të debateve mes palëve është trajtimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, veçanërisht ato që lidhen me ndarjen e shtetit nga partia dhe parandalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje.
Damian Gjiknuri akuzoi opozitën se nuk ka paraqitur propozime konkrete për ndryshimet që kërkon në këtë drejtim, duke deklaruar se mungesa e vullnetit nga ana e PD-së po rrezikon ecurinë e punës së Komisionit, mandati i të cilit përfundon më 30 nëntor.
Nga ana tjetër, Oerd Bylykbashi kundërshtoi qëndrimin e mazhorancës, duke e akuzuar PS-në për mungesë vullneti në trajtimin e çështjeve prioritare të reformës. Ai tha se opozita ka gati një paketë propozimesh për ndarjen e shtetit nga partia, ndërsa bëri të ditur edhe propozimin e PD-së për një sistem proporcional kombëtar me lista 100% të hapura, si dhe të njëjtin sistem në nivel bashkie.
Komisioni ka një afat të kufizuar për përfundimin e punës, ndërsa reforma zgjedhore duhet të adresojë problematikat e evidentuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë përpara zgjedhjeve të 9 majit 2027.
Gjiknuri: Opozita nuk ka ardhur me një propozim se çfarë kufizimesh të tjera kërkohen për sa i përket ndarjes së shtetit nga pushteti. Ligji është i plotë, mund të jetë nevojë për saktësime. Ju keni pikëpamje tjetër, por kjo pikëpamje nuk u materializua në një propozim. Afati i këtij komisioni është 30 nëntori. Po rrezikohet ecuria e këtij komisioni. Nuk duhet të përdoret integrimi evropian si instrument bllokimi. Nuk duhet të kthehet në një tekë. Ky komision po bllokohet për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e opozitës.
Edhe në kohën e mbetur që jemi, paketat ne i kemi gati, qoftë administrimin e zgjedhjeve me administratë zgjedhore të paanshme, qoftë pse jo, nëse nesër do të sillni propozimet e PD-së për sa i përket propozimeve të çështjeve teknike të reformës. Nëse ne do të duam të ndryshojmë sistemin zgjedhor, përfshirë edhe variantin e një sistemi proporcional, duhet të adresojmë njëkohësisht edhe numrin e mandateve të deputetëve. Le të diskutojmë për shkurtimin e numrit të deputetëve dhe le të mendojnë për sistem proporcional.
Reforma zgjedhore është në fjalë sa e gjerë aq edhe e ngushtë. Qëllimi nuk është të destabilizojmë zgjedhjet e rregullta në Shqipëri. Nuk dua ta kthej në një debat politik. Sot jemi te ky fakt. Duhet të ndërmarrim një iniciativë dhe i bëj thirrje opozitës sa më shpejt, nëse ka propozime, të vijë. Çdo propozim do t’i nënshtrohet një analize juridike.
Bylykbashi: Që nga 28 korriku, kur kemi bërë tryezën për ndarjen e shtetit nga partia dhe ndalimin e abuzimit me burimet shtetërore, kjo është mbledhja e parë qartazi në një mungesë të hapur të vullnetit të PS-së që të trajtojë çështjet prioritare që ka ky komision, të trajtojë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Mazhoranca ka barrën e parë, kryesore, që të trajtojë dhe të zgjidhë të gjitha ato shkelje të rënda parimesh që ka konstatuar OSBE dhe Komisioni i Venecias në raportet e tyre. Ajo që jemi përballur deri tani është një konsum total i panevojshëm i kohës së komisionit me çështje që nuk janë prioritet dhe nuk zgjidhin problemet e zgjedhjeve të datës 9 maj.
Propozimi i opozitës ka qenë i qartë, shtrojmë për zgjidhje të gjithë problematikën e ndarjes së shtetit nga partia, që është problemi kryesor, ai që shkatërron fushën e barabartë të lojës dhe shanset e barabarta në garë, plus lirinë e zgjedhësve nga presioni i shtetit. Problemi themelor. Ky është prioritet i prioriteteve që e ka OSBE/ODIHR. Zero interes deri më sot. Nuk mund t’i varim mëçitë në qafë ujkut dhe të shpresojmë që ai t’i ruajë. Me VKM Edi Rama kryeministër të ndalojë shtetin që ta përdorë ai në zgjedhje.
Ne propozojmë sistem proporcional kombëtar me listë të hapur 100%. Shtojmë dhe tjetrën, i njëjti sistem proporcional në nivel bashkie me listë të hapur, jo me listë të mbyllur siç është sot. Listë e hapur 100% edhe për këshillat bashkiakë. Jo, dëgjova tani kolegun bashkëkryetar që thotë kjo nuk është prioritet. Dëgjova “paska bllokuar opozita”, ndërkohë që ne kemi punuar dhe do të keni propozimin tonë. Ne kemi gati paketën konceptuale, por edhe me nene për sa i përket ndarjes së shtetit nga partia.




