Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili ka prezantuar risitë e pr/buxhetit, që lidhet me mbështetjen financiare për familjet me fëmijë.

“Nuk jam në pritje të ëmbël, por gjithsesi dua të ndaj me ju një lajm shumë të mirë për bonusin e bebeve”, thotë Ismaili në mesazhin e saj teksa mban në duan çorape bebesh, duke prezantuar skemën e re që parashikon kalimin nga pagesat e njëhershme në mbështetje mujore për pesë vitet e para të jetës së fëmijës.

Sipas ministres, skema e re, e përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2027 që po shqyrtohet në Kuvend, do të zbatohet për fëmijët shqiptarë që do të lindin nga data 1 korrik 2027 e në vijim.

Mbështetja financiare parashikohet të jepet çdo muaj për pesë vite, në varësi të radhës së lindjes së fëmijës në familje.

Konkretisht:

  • Fëmija i parë: 5,000 lekë në muaj, ose 300 mijë lekë në pesë vite.
  • Fëmija i dytë: 7,000 lekë në muaj, ose 420 mijë lekë në pesë vite.
  • Fëmija i tretë: 10,000 lekë në muaj, ose 600 mijë lekë në pesë vite.

Bonusi i bebeve që deri tani jepet si pagesë në lindje, në varësi të numrit të fëmijëve në familje, me propozimin e ri do të shpërndahet çdo muaj përgjatë pesë viteve.

“Nga bonusi i dikurshëm prej 5 mijë lekësh për regjistrimin e lindjes, te pagesat e njëhershme prej 40 mijë lekësh, 80 mijë lekësh dhe 120 mijë lekësh, sot propozojmë një mbështetje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme mujore për pesë vitet e para të jetës!”, thekson ministrja.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e cilëson këtë ndryshim si një mënyrë për të mbështetur familjet në vitet e para të rritjes së fëmijëve.

“Sepse investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë fillon nga fëmijët”, përfundon mesazhin e saj ministrja Ismaili.