E hënë, 9 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Qeli burgu si hotel luksi? Drejtori i Policisë habit me përgjigjen: Pamjet janë krijuar me AI
Lajme

Qeli burgu si hotel luksi? Drejtori i Policisë habit me përgjigjen: Pamjet janë krijuar me AI

“Dhomat mund të personalizohen”

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka ngritur shqetësime për trajtimin e privilegjuar të disa personave që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, ai kërkoi shpjegime për takimet e paregjistruara mes një të burgosuri me rrezikshmëri të lartë dhe partneres së tij, si dhe për raportimet mbi kushtet luksoze të krijuara në disa qeli të burgut të Peqinit.

Përballë pyetjeve të deputetit, Drejtori i Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta, konfirmoi se takime mes të dënuarit dhe partneres së tij kishin ndodhur në ambientet e posaçme të takimeve. Megjithatë, ai pranoi se një kontakt i tillë nuk duhej të ishte lejuar, duke lënë të kuptohet se janë shfrytëzuar hapësira që parashikon legjislacioni.

Sa i përket pamjeve të qarkulluara në media për kushtet e veçanta në qelitë e burgut të Peqinit, Rajta pretendoi se një pjesë e tyre ishin të manipuluara ose të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale. Ai pranoi, gjithsesi, se në disa raste ishin konstatuar pajisje dhe sende të tepërta në ambientet e vuajtjes së dënimit, por këmbënguli se nuk bëhej fjalë për pajisje të ndaluara dhe se policia kishte ndërhyrë për t’i larguar.

Një tjetër deklaratë që tërhoqi vëmendjen ishte ajo për mundësinë e personalizimit të qelive nga personat e dënuar me mbi 15 vite burg. Sipas Rajtës, në disa vende kjo praktikë lejohet, duke pasur parasysh periudhën e gjatë që të dënuarit duhet të kalojnë në këto ambiente. Megjithatë, ai theksoi se kjo duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar dhe se burgu nuk mund të shndërrohet në një hotel luksoz.

Drejtori i Policisë së Burgjeve u përpoq gjithashtu të argumentonte se institucioni kishte reaguar pas konstatimit të problematikave dhe se sendet e tepërta nuk ndodheshin më në qeli në momentin kur çështja u bë publike. Ai siguroi se të gjithë të dënuarit vijojnë të vuajnë dënimet sipas vendimeve të gjykatës.

“Ka pasur takime, jo te dhomat speciale, por te dhomat e takimit, por edhe aty nuk duhej ta fusnin. Ka qenë i burgosuri dhe partnerja e tij, që e ka edhe sot. Ligji ka hapësira dhe mundohen t’i shfrytëzojnë.

Sa i takon çështjes në lidhje me qarkullimin e videos për një personazh të krimit me kushte ekstra në qeli, tani IA është problem i madh. Ka pasur disa, por jo të gjitha, disa janë të rregulluara. Ka pasur disa pajisje, por nuk ka pasur pajisje të ndaluara, por sende të tepërta.

Për krimet e rënda, të dënuarit me mbi 15 vjet, edhe bota në një farë mënyre e lejon dhe thotë që kanë të drejtë ta personalizojnë qelinë, sepse do të kalojnë shumë vite aty, edhe pse ne nuk jemi në këto kushte. Por si reagoi policia? Merrni edhe këtë vlerë. A ka fuqi kjo polici të reagojë? Reagoi.

Dhe ajo nuk ekziston më. Kur ka dalë në media, ajo nuk ka qenë, por ka dalë më vonë në media. Ju garantoj që të gjithë vuajnë dënimin ashtu siç ka marrë vendim gjykata dhe, pavarësisht se mund të shikoni ndonjë send të tepërt apo të ndaluar, burgu është burg, se mos marrin vesh këta të rinjtë dhe thonë është gallatë atje, jo”, deklaroi Rajta.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.