
Përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës janë rikthyer në Komisionin për Reformën Zgjedhore, ku bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi kanë shkëmbyer akuza për ecurinë e procesit dhe çështjet që duhet të trajtohen.
Gjatë mbledhjes, Gjiknuri paralajmëroi se bojkoti i opozitës po rrezikon punën e Komisionit dhe u bëri thirrje palëve të ulen në tryezë për të gjetur zgjidhje. Ai tha se mazhoranca i ka përgatitur propozimet për administratën zgjedhore dhe se pret diskutime teknike për sistemin zgjedhor.
“Po rrezikohet ecuria e Komisionit. Nuk duhet përdorur integrimi europian në një tekë. Duhet të gjejmë zgjidhje. Megjithëse mazhoranca i ka 84 mandate, sërish ka pritur mendimin e opozitës. Komisioni po bllokohet për shkak të bojkotit të opozitës”, deklaroi Gjiknuri.
Ai shtoi se mazhoranca ka gati paketat për administratën zgjedhore të paanshme dhe se çdo propozim duhet të kalojë përmes vlerësimit të ODIHR-it. Gjiknuri tha gjithashtu se palët mund të diskutojnë edhe për shkurtimin e numrit të deputetëve, nëse synojnë të bëjnë ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i opozitës, Oerd Bylykbashi, akuzoi Partinë Socialiste se po shmang trajtimin e çështjeve kryesore të ngritura në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, duke e orientuar diskutimin drejt temave që, sipas tij, nuk janë prioritare.
Bylykbashi theksoi se reforma duhet të nisë me ndarjen e shtetit nga procesi zgjedhor, në mënyrë që të mos përdoren burimet publike në fushata dhe të garantohet konkurrencë e barabartë mes partive.
“Ka një mungesë të hapur të përgjegjësisë së PS-së për të trajtuar çështjet kryesore që ka Komisioni i Reformës, që do të thotë të trajtojë çështjet e ngritura nga OSBE/ODIHR. Komisioni konsumon kohën, duke u marrë me çështje që nuk janë prioritet. Ligji për financimin e partive politike është çështja e fundit që shqetëson Komisionin”, u shpreh ai.
Bylykbashi ritheksoi gjithashtu kërkesën e opozitës për lista 100% të hapura, si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për këshillat bashkiakë. Ai tha se deri tani propozimet e opozitës kanë marrë vetëm përgjigje negative dhe se Partia Demokratike ka përgatitur një paketë për ndarjen e shtetit nga zgjedhjet.
“Pa të nuk ka zgjedhje të barabarta, të lira dhe të ndershme”, përfundoi Bylykbashi.