Sezoni i mandarinave ka hyrë në fazën e vjeljes dhe eksportit në Konispol, ku rreth 850 fermerë kanë nisur tregtimin e prodhimit të këtij viti. Të dhënat e para tregojnë për një sezon të mbarë, me cilësi të mirë të frutave dhe pritshmëri për rritje të prodhimit me rreth 5 mijë tonë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në pikat e grumbullimit ka nisur pranimi i mandarinave, ndërsa para nisjes drejt tregjeve të huaja, prodhimi i nënshtrohet analizave dhe kontrolleve të cilësisë. Sipërmarrësit po përzgjedhin gjithashtu fermerët me të cilët do të bashkëpunojnë gjatë këtij sezoni, në mënyrë që produkti të plotësojë standardet e kërkuara nga blerësit e huaj.

Arjol Shero, sipërmarrës në një pikë grumbullimi, thotë se këtë vit prodhimi paraqitet në gjendje shumë të mirë. Ai thekson se puna për mirëmbajtjen e frutave ka nisur prej muajsh, në bashkëpunim edhe me agronomë shqiptarë dhe të huaj.

“Situata sivjet është shumë e mirë, duket një vit i mbarë me prodhim të mbarë dhe produkt shumë të pastër, ne jemi në fillim të vjeljes, në procesin e analizave të frutave, pasi do bëjmë dhe seleksionimin e fermerëve me të cilët do punojmë sivjet, gjendja është shumë e mirë dhe gjatë gjithë vitit jemi kujdesur për frutat dhe jemi konsultuar me agronomë shqiptarë dhe të huaj dhe shpresojmë se do jetë një vit i mbarë.”- tha Shero.

Edhe fermerët konfirmojnë se cilësia e mandarinave është e mirë, ndërsa vjelja ka nisur gradualisht në parcelat e zonës. Sipas një fermeri nga fshati Çiflik, frutat kanë marrë zhvillim të mirë, ndërsa ngjyra karakteristike e tyre pritet të plotësohet në vijim të procesit të pjekjes.

“Jam një fermer nga fshati Çiflik, në përgjithësi mandarinat sivjet nga cilësia janë shumë mirë, jemi shumë të kënaqur, dhe tregu ka filluar të funksionojë, vetëm që nuk i ka ardhur ngjyra akoma, por duke vazhduar punën ne, duke mbledhur, dhe pjesës tjetër i vjen ngjyra.”- u shpreh ai.

Mandarinat e Konispolit vijojnë të kenë kërkesë në tregjet ndërkombëtare. Përveç Kroacisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, këtë sezon prodhimi shqiptar po dërgohet edhe në Poloni, Çeki dhe Zvicër. Eksportuesit thonë se marrëdhëniet e krijuara ndër vite me blerësit e huaj kanë ndihmuar në ruajtjen e tregjeve ekzistuese dhe zgjerimin e bashkëpunimit me destinacione të reja.

Një fermer tregon se kërkesa për eksport vijon, ndërsa edhe tregu vendas po funksionon me ritme të kënaqshme.

“Për eksport vijnë makina nga Polonia, nga vendet e ftohta, dhe tregu i brendshëm vazhdon me ritme të kënaqshme.”-  rrëfeu fermeri.

Ndërkohë, sipërmarrësi Arjol Shero bën të ditur se këtë vit është hapur për herë të parë edhe tregu zviceran, krahas destinacioneve ku mandarinat e Konispolit eksportohen prej vitesh.

“Futemi për herë të parë në Zvicër, vazhdojmë me tregun e Polonisë, Çekisë, Kroacisë, dhe me tregjet jemi shumë mirë se kemi vite që punojmë me ta dhe kemi arritur t'i japim cilësinë që ata duan.”- u shpreh Shero.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm për fermerët këtë sezon është skema e kompensimit prej 10% të vlerës së mandarinave të shitura. Për të përfituar nga kjo mbështetje, prodhuesit duhet të pajisen me faturën e shitjes në pikën e grumbullimit dhe më pas të aplikojnë përmes platformës e-Albania. Sipas sipërmarrësve, kjo skemë përbën një ndihmë për fermerët, të cilët përballen me kosto të ndryshme gjatë kultivimit dhe vjeljes së prodhimit.

Arjol Shero shpreson që procedurat për përfitimin e kompensimit të jenë sa më të thjeshta dhe që pagesat të mbërrijnë në kohë te fermerët.

"Në raport me marrëdhënien me shtetin për fermerët sivjet është vendosur një kompensim 10% që është gjë shumë e mirë, fermeri shet dhe me faturën që merr te pika e grumbullimit, bën aplikimin te e-Albania, dhe kompensohet 10% të vlerës së shitjes së mandarinës, shpresoj që kjo mos të ketë burokracira por t'i marrin shpejt fermerët sepse është një ndihmë e madhe."- tha ai.

Në parcelat e Mursisë, vjelja po vijon me ritme të larta, ndërsa çmimi i mandarinave ka pësuar një lëvizje nga ditët e para të sezonit. Në fillim, kilogrami është shitur deri në 80 lekë, ndërsa aktualisht çmimi varion nga 60 deri në 70 lekë. Fermerët shpjegojnë se pjekja e frutave është vonuar rreth 10 ditë këtë vit, për shkak të reshjeve të vonuara, por janë të kënaqur me ecurinë e prodhimit dhe çmimet e shitjes.

"Për këtë vit mandarinat janë 10 ditë më vonë sepse edhe shirat ranë më vonë, çmimi deri tani mirë është, filloi me 80, tani është 60-70 lekë."- theksoi njëri.

Sezoni i mandarinave përbën gjithashtu një mundësi të rëndësishme punësimi për banorët e zonës dhe punëtorët që vijnë nga fshatra të tjerë. Në plantacionet e Mursisë, familje të tëra janë angazhuar në vjeljen e agrumeve, duke siguruar të ardhura gjatë kësaj periudhe. Punonjësit vlerësojnë cilësinë e prodhimit dhe shprehen të kënaqur me punën e kryer.

"Po punoj te nipi i burrit, është mandarinë e paparë, e mirë, e pastër, kemi punuar përditë, jemi të kënaqur shumë, bravo për mallin që kanë."- citoi punonjësja.

Edhe punonjës të tjerë të angazhuar në vjelje konfirmojnë se këtë vit prodhimi është më i lartë krahasuar me sezonin e kaluar.

"Prodhimi shumë i mirë, nga vjet në sivjet ka më shumë prodhim."- tha një tjetër.

Me rreth 950 hektarë të mbjellë me agrume, Konispoli mbetet zona kryesore e prodhimit dhe eksportit të mandarinave në Shqipëri. Për qindra familje të kësaj zone, kultivimi i agrumeve përbën një nga burimet kryesore të të ardhurave, ndërsa sezoni i vjeljes dhe eksportit ka një rëndësi të veçantë për ekonominë lokale.