Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Tiranë, Policia gjobit 21 pjesëmarrës me nga 5 mijë lekë


Policia e Tiranës ka vendosur 21 gjoba ndaj protestuesve që morën pjesë në tubimin e zhvilluar një ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas autoriteteve, ata kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e automjeteve, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve për lirimin e saj.

Për secilin prej 21 personave është vendosur një gjobë prej 5 mijë lekësh, për kundërvajtje administrative që lidhet me pengimin e lëvizjes së mjeteve të transportit gjatë protestës.

Sipas njoftimit zyrtar, masat janë marrë në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1.

Policia pretendon se protestuesit kanë vijuar të mbajnë të bllokuar rrugën, edhe pasi efektivët u kanë bërë thirrje përmes megafonit që të mos pengojnë qarkullimin.

Në përfundim të veprimeve janë plotësuar 21 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.