
Manchester United po kalon një nga periudhat më të vështira të sezonit, por Michael Carrick duket se do të vazhdojë të qëndrojë në stolin e “Djajve të Kuq”, të paktën deri pas përfundimit të pushimit të kombëtareve.
Pas vendit të tretë të siguruar në sezonin e kaluar të Premier League, skuadra angleze ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur në vendin e 18-të të klasifikimit. Në 10 javët e para, United ka regjistruar vetëm një fitore dhe ndodhet vetëm një pikë larg Coventry-t, skuadrës së parë në zonën e mbijetesës.
Rezultatet e fundit kanë nxjerrë edhe një herë në pah problemet e mëdha të ekipit. Pas përmbysjes spektakolare 3-2 ndaj Romës, Manchester United barazoi 4-4 me Aston Villën, duke shpëtuar një pikë falë dy golave të shënuar në minutat shtesë. Ndeshje me shumë emocione, por që kanë treguar edhe brishtësinë e skuadrës.
Pavarësisht kritikave dhe rezultateve zhgënjyese, Michael Carrick nuk ka ndërmend të largohet nga detyra. Trajneri e bëri të qartë qëndrimin e tij, duke theksuar se synon të vazhdojë punën për të përmirësuar situatën dhe për ta rikthyer skuadrën te fitoret.
“Kjo nuk do të ndodhë. Nuk kemi fituar mjaftueshëm ndeshje, por pres të vazhdoj të punoj, të përmirësoj situatën dhe të fitojmë”, u shpreh Carrick.
Ndërkohë, kritika të ashpra kanë ardhur edhe nga mediat angleze. Daily Mail e ka përshkruar Manchester United si një skuadër të papërgatitur, që mbështetet te shpërthimet e momentit për të korrigjuar gabimet e veta, në vend që të tregojë qëndrueshmëri gjatë ndeshjeve.
Sipas raportimeve të Mirror dhe Manchester Evening News, drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të shkarkojnë trajnerin gjatë kësaj periudhe.
Pushimi i kombëtareve do të ishte një moment i përshtatshëm për të bërë një ndryshim në stol, por për momentin në “Carrington” duket se po mbizotëron dëshira për t’i dhënë vazhdimësi projektit të nisur me Carrick.
