Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore nga opozita, Oerd Bylykbashi, ka kritikuar Partinë Socialiste për mënyrën se si po trajtohen çështjet në këtë komision, duke e akuzuar mazhorancën se po shmang rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR-it.
Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi deklaroi se komisioni po humbet kohë me çështje që, sipas tij, nuk përbëjnë prioritet, ndërsa theksoi se vëmendja duhet të përqendrohet te ndarja e shtetit nga procesi zgjedhor dhe te parandalimi i përdorimit të burimeve publike në fushata.
Pas përfundimit të fjalës së Bylykbashit, deputetët demokratë bojkotuan mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke ndërprerë pjesëmarrjen e tyre në punimet e tij.
“Ka një mungesë të hapur të përgjegjësisë së PS-së për të trajtuar çështjet kryesore që ka Komisioni i Reformës, që dmth të trajtojë çështjet e ngritura nga OSBE ODIHR.
Komisioni konsumon kohën, duke u marrë me çështje, që nuk janë prioritet. Ligji për financimin e partive politike është çështja e fundit që shqetëson Komisionin. Duhet të ndajmë shtetin nga partia dhe të mos hedhin paratë e shtetit në fushata.
Pas këtyre, mund të flitet më pas për financimin e partive politike, pasi janë të ndërthurrura. Ne propozojmë një paketë, që ndan shtetin nga procesi zgjedhor.
Duam lista të hapura 100 përqind. Duhet listë e hapur 100 përqind edhe për Këshillin Bashkiak. Deri tani për propozimet tona kemi vetëm “Jo”. Nëse ka normalitet, do keni propozimin tonë. PS ka bllokuar miratimin e Kodit Zgjedhor, derisa të kalonte edhe teka e fundit e Partisë Socialiste.
Këtë trashëgimi ka lënë PS-ja në politikën shqiptare. Ne kemi gati paketën për ndarjen e shtetit nga zgjedhjet. Pa të nuk ka zgjedhje të barabarta, të lira dhe të ndershme”,- tha Bylykbashi.













