Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës reagoi ndaj propozimit të Qeverisë, duke thënë se shqipja, ndonëse gjuhë autoktone dhe zyrtare me ligj, deri më sot është penguar të përdoret, ndërsa tani po vendoset në të njëjtën kategori me gjuhët e huaja ose të minoriteteve.
Sipas LSH-së, propozimi për provimin e jurisprudencës lejon që pjesa teorike të zhvillohet në gjuhën në të cilën janë kryer studimet, përfshirë anglishten dhe turqishten, por kërkon që pjesa praktike të jepet vetëm në maqedonisht. Partia e cilëson këtë si përforcim të projektit të OBRM-PDUKM-së për zhvlerësimin e shqipes.
Të lidhura
None found
Në reagim thuhet se kjo politikë synon t’i kthejë shqiptarët në të huaj e turistë në vendin e tyre dhe se ndikimi i propozimit do të ndihet edhe në fusha të tjera.
LSH thekson se shqiptarët përbëjnë bashkësinë e dytë etnike në vend. Për këtë arsye, sipas saj, shqipja duhet të ketë statusin e gjuhës së dytë zyrtare, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin në fuqi për përdorimin e gjuhëve.
Çdo zgjidhje tjetër, përfshirë atë të propozuar nga Qeveria, do të ishte antikushtetuese, e paligjshme dhe degraduese për shqiptarët, të cilët, sipas LSH-së, përbëjnë mbi 30% të popullsisë së përgjithshme.








