Nga Eugen Beçi, avokat, ish-prokuror/
Në datën 5 nëntor 2026, pas publikimit të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve dolën me një deklaratë të përbashkët ku kërkonin mbrojtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, ndalimin e presioneve politike dhe garantimin e kushteve të sigurta të punës. Por ndërsa ky reagim adresohet ndaj politikës, heshtja e shoqatave përballë krizës institucionale të krijuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi është shurdhuese dhe e pajustifikueshme.
Argumenti se "është vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe nuk kundërshtohet me deklaratë" çalon rëndë dhe shfaq një qasje prej spektatori të frikësuar, e jo të një elite profesionale që mbron rendin kushtetues. Shoqatat nuk po kërkohen të gjykojnë një çështje konkrete palësh, por të mbrojnë vetë arkitekturën e shtetit të së drejtës nga dy plagë të hapura institucionale:
1. Pse Parlamenti ka detyrim kushtetues t'i japë fund Aneksit (Neni 179/b, pika 9)?
Me mbarimin e mandatit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) më 17 qershor 2026, Kushtetuta përcakton shprehimisht në nenin 179/b, pika 9, se Kuvendi vendos për shfuqizimin e Aneksit. Ky nuk është një diskrecion politik apo një dëshirë e Kuvendit për ta zvarritur sa të dojë, por një detyrim i lidhur kushtetues. Mosveprimi i Kuvendit për të shfuqizuar normat kalimtare të jashtëzakonshme përbën një shkelje të hapur të parimit të përkohshmërisë dhe sigurisë juridike. Shoqatat e magjistratëve duhet të kërkojnë me forcë zbatimin e këtij neni, pasi mbajtja pezull e një regjimi të jashtëzakonshëm mban nën ankth të përhershëm vetë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
2. Pse Gjykata Kushtetuese nuk mund të vetëshpallet ligjvënës ad-hoc dhe pse shoqatat duhet të reagojnë?
Fakti që ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese (Vendimi Nr. 13, datë 2.11.2026) nuk e imunizon atë nga kritika e fortë profesionale dhe publike, aq më tepër kur ky vendim krijon hibride procedurale skandaloze, siç është lejimi i vëzhguesve të huaj të ONM-së brenda dhomës së këshillimit. Kur Gjykata Kushtetuese shkel parimin e fshehtësisë dhe pavarësisë së dhomës së këshillimit, ajo nuk po mbron Kushtetutën, por po e deformon atë. Shoqatave të magjistratëve u takon detyrimi moral dhe institucional të flasin kur vetë shenjtërorja e vendimmarrjes gjyqësore cenohet nga ndërhyrje të jashtme.
3. Kur heshtja e shoqatave bëhet bashkëfajësi
Të fshihesh pas alibisë se "është vendim gjykate" ndërkohë që hesht ndaj mosveprimit të Parlamentit për të shfuqizuar aneksin e skaduar dhe ndaj futjes së monitoruesve të huaj në vendimmarrje, tregon një standard të dyfishtë të frikshëm. Magjistratët nuk mund të kërkojnë respekt dhe liri nga politika, ndërkohë që pranojnë në heshtje një protektorat hibrid që degradon pavarësinë e brendshme të sistemit. Reagimi i shoqatave nuk është luks, por detyrë ekzistenciale për të mbrojtur të ardhmen e drejtësisë në Shqipëri.
© SYRI.net