Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërriti këtë të hënë në Paris për takimin me ministrat e Jashtëm të vendeve të G7, ku në qendër të diskutimeve janë lufta në Ukrainë, konflikti me Iranin, siguria energjetike dhe inteligjenca artificiale. Vizita vjen pas humbjeve të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, ku partia e presidentit Donald Trump humbi kontrollin e Kongresit.

Kjo është vizita e parë e Rubios jashtë vendit që prej zgjedhjeve të javës së kaluar. Presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance e kanë përmendur luftën me Iranin si një nga faktorët që ndikuan në rezultatin zgjedhor.

I pyetur se si po i shohin aleatët amerikanë rezultatet e zgjedhjeve, Rubio tha se vendet me të cilat do të takohet këtë javë i kuptojnë ndasitë në politikën amerikane.

“Edhe ata kanë përjetuar përçarje në qeveri dhe brenda sistemeve të tyre politike”, deklaroi ai.

Pas mbërritjes në Paris, Rubio shkroi në rrjetin social X se diskutimet do të përqendrohen edhe te kërkesa për më shumë përgjegjshmëri në Kombet e Bashkuara dhe te nxitja e inovacionit në fushën e inteligjencës artificiale. Lufta në Ukrainë, SHBA përgatit bisedime në Emiratet e Bashkuara Arabe

Administrata Trump ka propozuar bashkëpunimin me Europën për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të takohen këtë javë në Emiratet e Bashkuara Arabe me zyrtarë ukrainas dhe rusë, për të diskutuar kompromiset e mundshme.

Rubio tha se garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe Europën pas përfundimit të luftës mbeten një nga shqetësimet kryesore të aleatëve amerikanë. Sipas tij, është bërë njëfarë përparimi në diskutimet për mënyrën se si mund të organizohen këto garanci, por ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.

“Asgjë nuk është finalizuar ende dhe ndoshta mund të arrihet njëfarë përparimi në Abu Dhabi”, deklaroi Rubio përpara nisjes drejt Parisit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, theksoi se Europa duhet të jetë pjesë e përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës.

“Europa duhet të jetë pjesë e rrugës drejt zgjidhjes së konfliktit”, tha ai, duke shtuar se kontinentit nuk i duhet një arkitekturë e re sigurie, siç kërkon Rusia, por rikthimi i sistemit ekzistues të sigurisë.

Një tjetër çështje që pritet të diskutohet në takimin e G7 është konflikti me Iranin, i cili ka sjellë rritjen e çmimeve të karburanteve dhe shqetësime për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe Detit të Kuq. Katari dhe ndërmjetës të tjerë kanë propozuar një zgjidhje të përkohshme për të kapërcyer bllokimin e bisedimeve.

Megjithatë, Rubio deklaroi se palët nuk janë pranë arritjes së një marrëveshjeje.

“Nuk jemi në prag të një përparimi vendimtar”, tha sekretari amerikan i Shtetit.

Ai përsëriti se presidenti Trump preferon një zgjidhje diplomatike, por sipas tij, përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultate për shkak të kërkesave të Iranit, të cilat i cilësoi të papranueshme. Rubio pranoi gjithashtu se pret shumë pyetje nga aleatët amerikanë lidhur me konfliktin dhe hapat e ardhshëm të Uashingtonit.

Takimi i ministrave të Jashtëm të G7 zhvillohet ndërkohë që Franca po përballet me protesta, përfshirë edhe kryeqytetin Paris.