Qytetarët në Shqipëri po përballen me një tjetër formë mashtrimi online, përmes mesazheve SMS që pretendojnë se dërgohen nga institucione dhe shërbime të njohura, si Posta Shqiptare dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Mesazhet vijnë nga numra të huaj me prefiksin +212, që i përket Marokut, dhe përmbajnë lidhje të dyshimta, të cilat mund të përdoren për vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.
Dy raste të tilla, të dokumentuara përmes mesazheve të mbërritura në telefonat e qytetarëve, përdorin të njëjtën skemë mashtrimi, por me pretendime të ndryshme.
Në rastin e parë, dërguesi prezantohet si ekipi i shërbimit të Postës Shqiptare dhe njofton marrësin se një pako nuk mund të dorëzohet për shkak të një problemi me adresën. Qytetarit i kërkohet të përditësojë adresën përmes një lidhjeje interneti, me pretendimin se në të kundërt paketa do të mbahet në një automatik postar. Mesazhi përmban edhe një kod marrjeje, duke krijuar përshtypjen e një njoftimi real për një dërgesë.
Në rastin e dytë, mashtruesit përdorin emrin e DPSHTRR-së, duke pretenduar se automjeti i qytetarit është përfshirë në një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për të parë detajet, marrësit i kërkohet të hyjë në një faqe interneti që imiton komunikimin zyrtar të institucionit dhe të vendosë numrin e targës së automjetit.
Ajo që i bën këto mesazhe veçanërisht shqetësuese është përdorimi i emrave të institucioneve shtetërore dhe i gjuhës që krijon ndjesinë e urgjencës. Qytetarët nxiten të klikojnë menjëherë në lidhje, të japin informacione ose të ndjekin udhëzime që mund t’i ekspozojnë ndaj sulmeve kibernetike.
Rreziku nuk kufizohet vetëm te marrja e të dhënave personale. Faqet e rreme mund të përdoren për të mbledhur kredencialet e hyrjes në llogari, të dhënat bankare dhe informacionin identifikues. Në varësi të përmbajtjes dhe funksionit të lidhjes, përdoruesit mund të ekspozohen edhe ndaj shkarkimit të programeve keqdashëse apo marrjes së kontrollit mbi llogaritë e tyre.
Përdorimi i numrave me prefiks të huaj dhe i adresave të internetit që nuk përputhen me domenet zyrtare të institucioneve janë sinjale të forta paralajmëruese. Në rastin e DPSHTRR-së, për shembull, lidhja e dërguar përmban domenin e dyshimtë yucpyo.cfd, i cili nuk është domeni zyrtar i institucionit.
Çfarë duhet të bëjnë qytetarët?
Ekspertët e sigurisë kibernetike, edhe më herët janë shprehur dhe kanë rekomanduar që qytetarët:
* Të mos klikojnë në lidhjet e dërguara nga numra të panjohur.
* Të mos japin të dhëna personale, numra kartash bankare, fjalëkalime apo kode verifikimi.
* Të mos u përgjigjen mesazheve me udhëzime si dërgimi i fjalës “PO” për aktivizimin e lidhjeve.
* Të verifikojnë çdo njoftim përmes faqeve dhe kanaleve zyrtare të institucioneve.
* Të raportojnë dhe bllokojnë numrat nga të cilët vijnë mesazhe të tilla.
Nëse kanë klikuar në lidhje dhe kanë vendosur të dhëna bankare, qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë bankën për të bllokuar kartën ose për të marrë masa mbrojtëse. Nëse kanë dhënë fjalëkalime, duhet t’i ndryshojnë ato dhe të aktivizojnë verifikimin me dy faktorë.
Rastet tregojnë se mashtrimet kibernetike po përdorin gjithnjë e më shumë identitetin e institucioneve publike dhe shërbimeve të përditshme për të fituar besimin e qytetarëve. Një SMS që duket si njoftim për një pako apo gjobë rrugore mund të jetë në fakt një përpjekje për të marrë kontrollin mbi të dhënat dhe llogaritë e tyre./ekofin.al







