Koncesionet, ATRAKO do të hartojë studimet e fizibilitetit, tarifat deri në 1.5% të investimit

Kompanitë fituese të kontratave koncesionare dhe partneriteteve publike-private (PPP) do të paguajnë edhe kostot e konsulencës së jashtme për studimet e fizibilitetit, me tarifa që mund të arrijnë deri në 1.5% të vlerës së investimit. Qeveria ka miratuar një skemë të veçantë tarifimi, ndërsa Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat (ATRAKO) merr një rol më të drejtpërdrejtë në përgatitjen e studimeve dhe mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave.
Rregullat përcaktohen në vendimin nr. 837, datë 5 nëntor 2026, të botuar në Fletoren Zyrtare, në zbatim të ligjit të ri për koncesionet dhe PPP-të i miratuar në 12 dhjeotr 2025 dhe që hyri në fuqi më 13 tetor të këtij viti.
Agjencia do të hartojë studimet e fizibilitetit për projektet e institucioneve qendrore dhe enteve në varësi të tyre. Për projektet e pushtetit vendor, ky shërbim mund të ofrohet kundrejt një tarife të posaçme. Sipas kuadrit të mëparshëm, ATRAKO kishte kryesisht funksione asistuese dhe këshilluese për autoritetet kontraktuese, ndërsa studimet përgatiteshin nga komisionet përkatëse. Ligji i ri lejon gjithashtu që autoritetet kontraktuese t’i hartojnë vetë studimet në rastet e parashikuara, ndërsa agjencia kryen ekspertizën ose oponencën.
Për konsulencën e jashtme, vendimi përcakton katër kufij maksimalë. Për projektet deri në 1.5 miliardë lekë, tarifa mund të arrijë 1.5% të investimit; për ato deri në 20 miliardë lekë, 1%; për investimet deri në 50 miliardë lekë, 0.75%; dhe për projektet mbi këtë vlerë, 0.5%.
Gjithsesi, pagesat nuk janë automatike. “Përqindjet e parashikuara […] përbëjnë kufijtë maksimalë të tarifës së shërbimit dhe nuk krijojnë një të drejtë automatike për pagesë në këtë masë”, përcakton vendimi. Shuma përfundimtare duhet të mbështetet në kostot faktike dhe të dokumentuara, ndërsa paguhet nga operatori fitues përpara nënshkrimit të kontratës.
Këto pagesa janë të ndara nga tarifat e zakonshme të shërbimeve të agjencisë, të cilat variojnë nga 700 mijë deri në 4.2 milionë lekë, sipas madhësisë së investimit. Katër nivelet e këtyre tarifave mbeten të pandryshuara nga vendimi i vitit 2020.
Vendimi parashikon edhe shpërblime për punonjësit që hartojnë studimet e fizibilitetit, deri në një pagë mujore bruto për studim dhe jo më shumë se tri studime në vit. Përfitimi varet nga kontributi i dokumentuar dhe fondet e disponueshme.
Agjencia do të mbikëqyrë veprimtarinë e njësive përgjegjëse për zbatimin e kontratave dhe do të mbajë Regjistrin e Koncesioneve dhe PPP-ve. Për projektet që mund të angazhojnë fonde publike dhe tejkalojnë kufijtë financiarë të përcaktuar nga Ministria e Financave, vlerësimi i nevojës do të kryhet sipas procedurave të menaxhimit të investimeve publike. ATRAKO ekzistuese do të vijojë funksionimin deri në ngritjen e plotë të strukturës së re.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









