Gjykata e Fierit ka caktuar masën “Arrest në burg” deri më 17 dhjetor për Bledar Bakajn, dajën e deputetes socialiste Zegjine Çaushi, i dyshuar se plagosi me drapër babanë e një 34-vjeçareje në Roskovec.

Ngjarja ndodhi më 13 shtator në fshatin Suk, kur 52-vjeçari dyshohet se shkoi në banesën e familjes Grëmi për të marrë me forcë vajzën. Babai i saj, Enver Grëmi, e kundërshtoi dhe gjatë përplasjes mbeti i plagosur në këmbë.

34-vjeçarja kishte denoncuar më herët se Bakaj, pasi i kishte premtuar një vend pune, e kishte mbajtur për 45 ditë kundër dëshirës së saj dhe e kishte dhunuar seksualisht. Ajo kishte kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje në muajin gusht.

Bakaj i ka mohuar akuzat për përdhunim, duke pretenduar se kishte bashkëjetuar me të.

Vendimi i 9 nëntorit u dha nga gjyqtarja Bora Shaholli. Bakaj është nën hetim për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë