Gjykata Kushtetuese ka kaluar në seancë plenare kërkesën e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), që kundërshton rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
AGSH kërkon shfuqizimin e dispozitave që lidhen me punën e gazetarëve dhe mediave në ambientet e Gjykatës së Posaçme, të cilat i konsideron kufizuese për lirinë e medias dhe të drejtën e informimit.
Për këtë arsye, përfaqësuesit e gazetarëve i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese jo vetëm të shqyrtojë përputhshmërinë e këtyre dispozitave me Kushtetutën, por edhe të pezullojë zbatimin e tyre deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
AGSH theksoi se disa prej masave të parashikuara në rregullore kufizojnë lirinë e medias dhe cenojnë të drejtën e informimit të qytetarëve.
Për këtë arsye, përfaqësuesit e gazetarëve i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese jo vetëm të shqyrtojë përputhshmërinë e këtyre dispozitave me Kushtetutën, por edhe të pezullojë zbatimin e tyre deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Sipas AGSH, rregullorja krijon pengesa për ushtrimin e profesionit të gazetarëve, veçanërisht për ata që mbulojnë kronikën e zezë dhe ndjekin proceset gjyqësore në GJKKO. Sipas saj, kufizimet nuk prekin vetëm gazetarët, por edhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi çështjet me interes publik.
Ndër masat që kanë shkaktuar kundërshtime janë ndalimi i përdorimit të celularëve gjatë seancave gjyqësore dhe ndalimi i regjistrimit audio nga gazetarët. Po ashtu, AGSH ka vënë në pikëpyetje edhe procedurat e akreditimit dhe kërkesat që duhet të përmbushin gazetarët për të ndjekur seancat.
Rregullorja e re e GJKKO-së u publikua në fund të korrikut dhe hyri në fuqi më 1 shtator.














