
Radio Televizioni Shqiptar vijon të vuajë mungesë financimi për investime dhe programacion të ri, sipas drejtuesve, duke kërkuar nga Kuvendi shtesë fondesh në buxhetin e parashikuar nga Ministria e Financave në projektbuxhetin e vitit 2027.
Gjatë dëgjesës të premten në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, tha se institucionit i duhen dhe 750 milionë lekë shtesë për vitin 2027.
“Financimi i parashikuar në projektbuxhet nuk mbulon nevojat për prodhimin televiziv, mirëmbajtjen e rrjetit dhe modernizimin e pajisjeve teknike, por është një buxhet që mbulon përgjithësisht vetëm shpenzimet korrente për paga dhe sigurime”, argumentoi ai.
Në projektbuxhetin e vitit që vjen Ministria e Financave parashikon 940 milionë lekë për institucionin, ndërsa nevoja reale sipas Hoxhallit, vlerësohet që të jetë 1.69 miliardë lekë.
Shtesa e kërkuar do të shkojë kryesisht për investime në teknologji dhe paga.
Hoxhalli e cilësoi financimin një problem strukturor, që nuk mund të zgjidhet vetëm përmes shtesave të përvitshme.
Sipas tij, të ardhurat vjetore të RTSH-së janë mesatarisht 2.6 miliardë lekë, ku 52 për qind sigurohen nga tarifa e aparatit televiziv, 34 për qind nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga reklamat, qiratë dhe burime të tjera.
Tarifa e shërbimit ka mbetur e pandryshuar prej më shumë se dhjetë vjetësh, ndërkohë që kostot e institucionit janë rritur për shkak të pagave, energjisë, licencave teknike dhe detyrimeve satelitore.
Hoxhalli kërkoi që, përveç shtesës buxhetore për vitin 2027, të rishikohet edhe modeli i financimit të transmetuesit publik. Ai veçoi gjithashtu kostot e të drejtave sportive për kampionatin Abissnet Superiore, të cilat, sipas tij, nuk mund të përballohen vetëm nga të ardhurat e institucionit dhe duhet të mbështeten nga buxheti i shtetit.
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e vuri theksin te nevoja për të rikthyer në funksion atelienë e ish-Kinostudios, e cila është në pronësi të transmetuesit publik, por aktualisht shërben vetëm si godinë e papajisur për prodhim televiziv.
Sipas Vasilit, 80–85 për qind e programacionit të RTSH-së realizohet në një studio të vetme, duke vështirësuar vijimësinë e prodhimit dhe kufizuar mundësitë për programe të reja.
“Programet e RTSH-së kanë nevojë të kenë një shtëpi të tyre dhe kjo atelie duhet të kthehet në studion kryesore të RTSH-së”, u shpreh Vasili, duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për financimin e investimit.
Përveç infrastrukturës teknike, drejtuesit e RTSH-së kërkuan shtesë fondesh edhe për programin e diasporës dhe publikun e huaj. Fondet synojnë zgjerimin e rrjetit të korrespondentëve, përmbajtje të dedikuara për shqiptarët jashtë vendit, përkthimin dhe titrimin në gjuhë të huaja, si dhe krijimin e një portali multimedial shumëgjuhësh.
Planet përfshijnë gjithashtu hapjen e një zyre pranë Parlamentit Europian në Bruksel, zgjerimin e redaksive të gjuhëve të huaja dhe rivendosjen e platformës OTT. Sipas Vasilit, programi ka një financim të parashikuar prej 319 milionë lekësh, ndërsa nevoja reale arrin në 437 milionë lekë.
Po ashtu Vasili tha se duhen mbështetur dhe prodhimet filmike dhe artistike.
Ndërkohë ajo bëri të ditur se dixhitalizimi i arkivës së RTSH-së do të bëhet me mbështetje të Fondit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF), i cili sipas Vasilit, ka marrë përsipër financimin dhe menaxhimin e procesit të digjitalizimit të tij.





