Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka kërkuar angazhim më të madh të Policisë Rrugore për të përmirësuar qarkullimin në Tiranë, duke vënë theksin te reduktimi i kohës së pritjes në trafik dhe garantimi i sigurisë për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.
Gjatë një inspektimi në zonën e 21 Dhjetorit, një prej nyjeve më problematike të qarkullimit në kryeqytet, Demo u njoh me masat shtesë të ndërmarra nga Policia Rrugore për menaxhimin e trafikut.
Ministri theksoi se dëmtimet e semaforëve, sinjalistikës dhe infrastrukturës urbane gjatë javëve të fundit kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen në disa akse të qytetit, duke kërkuar që ndërhyrjet e policisë të përqendrohen në lehtësimin e përditshëm të lëvizjes së qytetarëve.
Sipas tij, prioritet mbetet shmangia e vonesave të panevojshme për qytetarët që udhëtojnë drejt vendeve të punës dhe shkollave, pa cenuar sigurinë rrugore.
Demo kërkoi gjithashtu kontrolle më të forta ndaj parkimeve dyshe dhe çdo shkeljeje tjetër të Kodit Rrugor që pengon qarkullimin. Ai nënvizoi se prania e shtuar e efektivëve duhet të sjellë rezultate konkrete në përmirësimin e trafikut dhe cilësisë së jetesës në kryeqytet.
Ministri bëri të ditur se në fund të javës do të kryhet një vlerësim i efektivitetit të masave të ndërmarra, veçanërisht për kohën që qytetarët shpenzojnë në trafik.
Në varësi të rezultateve, në fillim të javës së ardhshme do të shqyrtohet nevoja për masa të tjera, me synimin për të garantuar një qarkullim më të rregullt, më të sigurt dhe më të shpejtë në rrugët e Tiranës.


