
Pas javësh kërkesash të vazhdueshme nga opozita për të raportuar mbi menaxhimin e protestave në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u paraqit këtë të hënë në Komisionin për Çështjet e Brendshme, ku diskutimi për projektbuxhetin e vitit 2027 u shoqërua edhe me akuza dhe përplasje politike.
Ndonëse opozita kishte kërkuar me ngulm praninë e tij që prej nisjes së protestave më 13 tetor, në mbledhje ishin të pranishëm vetëm dy deputetë të saj: Isuf Çela i Partisë Demokratike dhe Erald Kapri i partisë Mundësia. Gjatë diskutimeve, deputeti Isuf Çela ngriti shqetësimin për përdorimin e forcës nga efektivët ndaj protestuesve, duke kërkuar përgjegjësi për incidentet e regjistruara gjatë tubimeve.
“Cilat janë hapat konkretë për aktet e dhunës nga efektivët ndaj protestuesve? Kush e dha urdhrin që RENEA doli në terren me armë dhe rrethoi kryeministrinë? Ju jeni drejtor i Policisë së Shtetit, jo drejtor i Edi Ramës. Për të gjitha ato që thashë, kërkoj publikisht dorëheqjen tuaj”, deklaroi deputeti.
Nga ana tjetër, Hita mbrojti veprimet e policisë, duke paraqitur edhe fotografi të efektivëve të plagosur gjatë protestave, të cilat, sipas tij, nuk ishin bërë publike më parë. Ai e cilësoi situatën si një sulm të paprecedentë ndaj uniformave blu, duke përmendur përdorimin e molotovëve dhe gurëve nga protestuesit.
“Sa i përket dëmtimit të protestuesve, nuk do të dëshiroja të kishte asnjë të dëmtuar nga të dyja palët. Policia ka qenë në ruajtje për tubimin dhe është gjendur në sulm të paprecedentë. Ka policë të dëmtuar shumë rëndë, me hundë të thyer, kafkë të thyer. Kam sjellë edhe foto”, u shpreh Hita.
Një tjetër çështje që u ngrit në komision ishte përdorimi i pajisjeve të reja gjatë protestave të fundit, mes tyre autobotet e ujit dhe dronët e vendosur mbi protestuesit. Deputeti Erald Kapri kërkoi transparencë për mënyrën e sigurimit të këtyre mjeteve dhe kostot që ato kanë pasur për buxhetin e shtetit. “Në menaxhimin e protestës është vënë re shtimi i disa pajisjeve që janë përdorur, katër botet e reja të ujit, dronët mbi kokat e protestuesve, ku u hodhën bomba me gaz. Sa keni shpenzuar për këto pajisje, për blerjet?”, pyeti Kapri.
Në përgjigje, kreu i Policisë së Shtetit deklaroi se pajisjet janë vënë në dispozicion nga vende partnere dhe nuk kanë rënduar financiarisht buxhetin e shtetit. “Për automjetet, zero lekë nga buxheti i shtetit. Policia përdor të gjitha pajisjet speciale që ka në përdorim dhe që janë në bazë të ligjeve, mjetet speciale, autobotet, dronët, që përdoren gjatë protestave. Botet janë marrë në përdorim”, sqaroi Hita.
Përtej debatit mbi protestat, në komision u diskutuan edhe fondet e parashikuara për Policinë e Shtetit në projektbuxhetin e vitit 2027. Sipas Hitës, 3.3 miliardë lekë janë parashikuar vetëm për pagat e punonjësve, ndërsa nga 1 janari pritet të hyjë në fuqi një rritje e konsiderueshme pagash. Për 8,174 punonjës me gradën Inspektor, që përbëjnë 73% të personelit me grada, parashikohet një shtesë prej 20 mijë lekësh. Projektbuxheti përfshin gjithashtu financimin për ndërtimin e një godine të re për Policinë e Tiranës. Më herët, në të njëjtin komision raportuan edhe përfaqësuesit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
