Sipërmarrësi: Marrëdhëniet nuk duhet të krijohen për të shuar epshet, por për të krijuar qëndrueshmëri e familje

Rëndësia e intimitetit në marrëdhënie. Si ndryshojnë raportet mes burrit dhe gruas me kalimin e viteve?
Kjo ishte tema që u trajtua këtë të hënë në emisionin “Takohemi n’Vizion”, me Fjodora Fjorën, që përplasi në mendime edhe të ftuarit në panel.
Bujar Zhuri, sipërmarrës, ishte i mendimit që një marrëdhënie të qëndrojë e shëndetshme dhe e fortë duhet të ketë sinqeritet, ndershmëri dhe respekt.
Ai shtoi se marrëdhëniet kanë obligime, ku më kryesorja është krijimi i familjes dhe jo thjesht shuarja e epshit seksual.
“Një nga faktorët kryesor të brezit të ri është egoizmi. Vjen si rezultat i nënvlerësimit të perspektivës së jetës. Jeta është një kurbë, kur fillon dhe kur mbaron. Jetëgjatësia jonë ka edhe disa obligime. Një nga obligimet janë krijimi i familjes në një kohë të caktuar. Kur kalon “ora biologjike”, shkalla e vështirësisë në pleqëri bëhet më e madhe, sepse kërkon edhe mbështetje.
Besimi, komunikimi, respekti, sjellja ndaj partnerit e mbajnë më gjallë marrëdhënien. Marrëdhënia intime është e rëndësishme, por jo gjithçka.
Sot është tabu të flasësh për edukatën seksuale në mjediset shoqërore. Po të shkosh në zonat rurale. Njerëzit akoma flasin që njerëzit lindin nga sqetullat. Ne nuk nisemi në një marrëdhënie për të shuar epshet, por për një raport të qëndrueshëm”, tha Zhuri.
Por kundër këtij mendimi ishte DJ Marsiela Maksuti, e cila hodhi poshtë pretendimin se gjinia femërore nuk duhet të shihet vetëm si “makineri” riprodhuese.
“Të investosh në marrëdhënie, është si të ndërtosh një kala me rërë.
Një marrëdhënie të shëndetshme e mban respekti dhe mungesa e egos. Shumica e çifteve funksionojnë në bazë të egos. Femrat nuk janë vetëm për riprodhim, sikur kanë ardhur në jetë vetëm për këtë gjë”, tha ajo.




