
Spitali Rajonal i Gjirokastrës, pas transformimit të infrastrukturës dhe modernizimit të ambienteve, synon të konsolidohet si një qendër reference për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në të gjithë rajonin. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro vizituan nga afër ambientet e spitalit, teksa diskutuan me stafin mjekësor edhe për hartimin e Planit Kombëtar 10-vjeçar për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Shëndetësi.
Spahiu u ndal tek investimet në infrastrukturën spitalore, duke theksuar se modernizimi i strukturave shëndetësore shoqërohet edhe me zgjerimin e kapaciteteve për shërbime të specializuara. Ajo bëri të ditur se ky spital përfshin katër salla kirurgjie, të cilat do të vihen në funksion të specialiteteve të ndryshme, si ortopedia, kirurgjia e përgjithshme, ORL-ja dhe okulistika. “Ky spital ka një strukturë me standarde të krahasueshme me ato që ofrohen në vende të Europës. Në kuadër të strategjisë së zhvillimit të shërbimeve shëndetësore ky spital mund të shndërrohet në një qendër kombëtare për traumatologjinë dhe ortopedinë, me potencial për të ofruar shërbime edhe për rajonin”, tha Spahiu.
Sa i përket projektbuxhetit të vitit 2027, Spahiu theksoi se po ndiqet një qasje e re për organizimin e spitaleve, bazuar në një analizë të kryer për të gjitha strukturat spitalore, veçanërisht ato me shfrytëzim të ulët të kapaciteteve dhe shtretërve. “Ne nuk duam të mbyllim spitalin, por ta formatojmë atë”, u shpreh ministrja, duke nënvizuar se synimi është ruajtja e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore, përmes një organizimi që i përgjigjet realitetit të ri dhe nevojave të popullsisë. Spahiu informoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, po hartohet Plani Kombëtar 10-vjeçar për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Shëndetësi. “Një vëmendje e veçantë në këtë plan do t’i kushtohet edhe rritjes së kuotave të mbuluara për mjekët specializantë, me qëllim plotësimin e nevojave për personel të specializuar”, tha ajo .
Nga ana e saj, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro e cilësoi këtë një lajm të mirë për banorët e qarkut, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kapaciteteve dhe burimeve njerëzore në spitalet e Përmetit dhe Tepelenës. “Investimet në infrastrukturën spitalore duhet të ecin paralelisht me fuqizimin e burimeve njerëzore, në mënyrë që strukturat e modernizuara të ofrojnë shërbime cilësore dhe të përballojnë më mirë nevojat shëndetësore të qytetarëve”, tha Spahiu. Spitali Rajonal i Gjirokastrës ofron të gjitha specialitetet si urgjenca, kirurgjia, pediatria, infektivi, radiologjia, patologjitë dhe i shërben 60 mijë banorëve të qarkut.
