Dy drejtues automjetesh janë proceduar penalisht në Durrës, pasi tentuan të shmangnin ndëshkimin për drejtimin e mjetit në efektin e alkoolit, duke u ofruar para efektivëve të Policisë Rrugore.
Sipas njoftimit zyrtar, rastet u konstatuan në dy kontrolle të ushtruara në aksin “Shkozet-Durrës” dhe në rrugën “Princ Topia”. Gjatë verifikimit, të dy drejtuesit rezultuan pozitivë në testin e alkoolit.
Për të shmangur masën administrative, ata tentuan t’u jepnin para punonjësve të policisë, por përpjekja për të korruptuar efektivët u evidentua nga këta të fundit.
Për pasojë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për J. D., 41 vjeç, banues në Fier, dhe G. M., 48 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.













