4 orë debate te “Siguria” për dhunën në protesta, Hita: U përballëm me sulm të paprecedentë

Aktualitet | 1 minutë më parë

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes u përfshi në debate që zgjatën rreth katër orë, ku fokus ishte menaxhimi i protestave dhe dhuna mes protestuesve e efektivëve, ku opozita kërkon dorëheqjen e kreut të Policisë së Shtetit.

“Dua të di sa keni shpenzuar për blerjen e këtyre pajisjeve. Flas për makinat ujëhedhëse dhe për dronët. Kush e më dha urdhrin që një ditë të caktuar reparti RENEA i mirë armatosur me arma automatike rrethoi kryeministrinë? Unë kërkoj publikisht dorëheqjen tuaj”, tha deputeti Erald Kapri.

“Është harxhuar zero lekë nga buxheti i shtetit. Ato janë marrë në përdorim. Policia është gjendur në një breshëri të madhe gurësh, në një sulm të paprecedent si asnjëherë më parë. Ka punonjës të dëmtuar dhe shumë rëndë”, tha Hita.

“A keni top akustik që është përdorur në Serbi? Dua ta di. Keni marrë ekspertë specialistë nga Serbia që u ndihmojnë në menaxhimin dhe trajnimin e policëve?”, tha Kapri.

“Asnjëra nga këto që thoni ju zoti deputet as nuk është përdorur dhe as nuk do përdoret. Ti vetëm do të spekulosh”, tha Hita.

Përgjigje për aktet e dhunës iu kërkua edhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e cila solli statistika për referimet.

“Janë referuar 24 materiale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë nga të cilat 20 janë me kallëzim dhe ankesë, 4 materiale janë të iniciuara kryesisht nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Paralelisht janë dhe 22 episode të tjera të dyshuara për veprime, por i nënshtrohen verifikimeve”

Pa cekur nuk mbeti as çështja e transferimit të kryebashkiakut Veliaj nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.

“Dua të di nëse institucioni i burgut të Fierit ka mbajtur shënim përkatës sipas protokolleve vizitën e ministrit të drejtësisë në burg. Tani ju po e hetoni këtë rast”, tha Kapri.

“Juve mund të drejtoni një kërkesë zyrtare për të cilën do t’i merrni të gjitha pikat e pyetjes suaj në mënyrë shteruese. Urdhri i transferimit është i klasifikuar, është futet në kategorinë e akteve të klasifikuara me nivelin i kufizuar dhe me afat ruajtje dy vite”.

Këto debate u regjistruan gjatë diskutimeve të drejtuesve të këtyre tri institucioneve për buxhetin e vitit 2027.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme