Një zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri një koleg, i cili është edhe eprori i tij i drejtpërdrejtë. Ministria konfirmoi se incidenti ka ndodhur në objektin e saj.
Sipas reagimit të Ministrisë, ngjarja është denoncuar në Policinë e Kosovës dhe zyrtari i dyshuar është arrestuar pas veprimeve përkatëse. Dëshmitarët dhe personat e përfshirë janë intervistuar dhe kanë dhënë deklarata para organeve kompetente.
Të lidhura
None found
Ministria bëri të ditur gjithashtu se, që prej muajit shtator, ndaj zyrtarit të dyshuar zhvillohej një procedurë disiplinore për çështje që lidheshin me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive në punë.
Në reagim, institucioni e cilësoi sulmin shumë serioz dhe të papranueshëm. Ministria kërkoi që organet e drejtësisë t’u japin përparësi kërcënimeve me armë zjarri, frikësimit dhe çdo veprimi që cenon shëndetin apo jetën e njeriut.
Ministria deklaroi se do të ndërmarrë të gjitha veprimet brenda kompetencave të saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për trajtimin institucional të rastit dhe për adresimin e çdo përgjegjësie të mundshme disiplinore ose administrative. Ajo theksoi se siguria e punonjësve dhe një mjedis pune i sigurt e profesional mbeten përparësi.
Rasti po hetohet nga organet kompetente të drejtësisë. Ministria njoftoi se nuk do të japë komente të tjera për rrethanat e incidentit derisa të marrë raportin e tyre.








