Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE-ja do të jetë e pranishme në bisedimet për Ukrainën në Abu Dhabi, pas një bisede telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në një deklaratë pas telefonatës, Von der Leyen bëri të ditur se diskutimi u përqendrua te përpjekjet diplomatike për paqe dhe takimet e planifikuara gjatë kësaj jave në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Diskutuam për përpjekjet e vazhdueshme për paqe dhe bisedimet që do të zhvillohen këtë javë në Abu Dhabi, ku BE-ja do të jetë e pranishme së bashku me partnerët tanë. Pres me padurim takimin me presidentin Zelensky në Dublin më vonë gjatë kësaj jave, si dhe diskutimet me liderët e tjerë për hapat e ardhshëm drejt paqes”, deklaroi ajo.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp të Komisionit Evropian, zëdhënësja Paola Pinho theksoi se Bashkimi Evropian po punon për të hartuar një qëndrim të përbashkët në këto bisedime dhe për të mbrojtur interesat e tij, pasi zhvillimet në Ukrainë ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë evropiane.
Sipas saj, një nga mesazhet kryesore që BE-ja do të përcjellë në Abu Dhabi është se diskutimet për kuadrin e sigurisë evropiane duhet të zhvillohen pas përfundimit të luftës.
Edhe pse zëdhënësja nuk bëri të ditur emrat e përfaqësuesve të BE-së në këto bisedime, delegacioni i përbashkët i Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian do të drejtohet nga Björn Seibert, shef i kabinetit të Ursula von der Leyen, dhe Anna-Maria Boura, këshilltare kryesore për politikën e jashtme e presidentit të Këshillit Evropian, António Costa.










