Ndryshon drejtimi i Autoritetit Portual Durrës. Liburn Aliu ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të përgjithshëm, ndërsa në vend të tij është emëruar Andrea Shllaku, i cili deri më tani mbante detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të institucionit.

Vendimi për emërimin e Shllakut është marrë sot, më 9 nëntor, nga Bordi Drejtues i Portit të Durrësit.

Ende nuk dihen arsyet e dorëheqjes së Aliut dhe nuk ka një njoftim zyrtar për ndryshimin në drejtimin e Autoritetit Portual Durrës.

Liburn Aliu, ish-ministër i Infrastrukturës në qeverinë e Albin Kurtit në Kosovë, u emërua në krye të Portit të Durrësit më 27 tetor 2025, me vendim të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë.

Ai kishte dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit në Kosovë më 27 gusht 2025, vetëm një ditë pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.