Ilir Alimehmeti ka kritikuar reformën territoriale, duke e cilësuar atë si një proces të zhvilluar pa konsensus dhe në kundërshtim me kërkesat e qytetarëve dhe ekspertëve.
I ftuar në emisionin “Pika mbi i” në Ora News, ai u shpreh se dëgjesat publike janë zhvilluar, por zërat e qytetarëve nuk janë marrë parasysh.
Më tej, Alimehmeti e lidhi reformën territoriale me largimin gradual të shërbimeve publike nga zonat e vogla, duke argumentuar se kjo nxit largimin e banorëve dhe shpopullimin e tyre.
“Duke ia bërë jetën ferr dhe duke i hequr shërbimet. Çfarë shërbimesh? Në këtë rast shërbimet publike vendore, duke i larguar. Duke larguar shërbimet shëndetësore, duke larguar shërbimet arsimore, duke larguar shërbimet e gjyqësisë, duke larguar shërbimet e kadastrës. Largoje, largoje, largoje, çfarë do bëjnë këta njerëz? Fillojnë e largohen. Dhe këto zona fillojnë e shpopullohen”, u shpreh Alimehmeti.
Ai kritikoi gjithashtu politikat për investitorët strategjikë, ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe paketat e maleve, duke i vendosur ato në të njëjtin kontekst me shqetësimet për shpopullimin e vendit.












