Arrestimi i Robert Dukës, 50-vjeçarit të dyshuar për dy grabitje bankash në Tiranë, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave greke. Gazeta “Protothema” ka publikuar detaje nga e kaluara e tij, duke rikthyer në vëmendje dyshimet për përfshirjen në një grup kriminal që akuzohej për një seri grabitjesh bankash në Greqi.
Sipas medias greke, Duka, i njohur edhe si Albert Duka, ishte akuzuar më herët për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që dyshohet se kishte kryer 28 grabitje bankash në shtetin fqinj.
Në Shqipëri, 50-vjeçari u vu në pranga gjatë operacionit policor të koduar “Gjuetari i Bankave”. Ai dyshohet si autor i dy grabitjeve të armatosura në zonën e Komunës së Parisit, të regjistruara më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026, nga të cilat u morën gjithsej rreth 75 mijë euro.
Sipas rindërtimit të ngjarjes së fundit, më 2 nëntor, rreth orës 10:45, autori mbërriti në një filial bankar me skuter elektrik. I maskuar dhe i veshur me të zeza, ai hyri në ambientet e bankës, bllokoi derën për të penguar daljen e personave që ndodheshin brenda dhe, nën kërcënimin e armës, i kërkoi paratë punonjësit të sigurisë dhe arkëtares.
Pasi siguroi rreth 60 mijë euro në valuta të ndryshme, u largua me të njëjtin mjet. Ndërsa grabitja e parë ishte kryer pesë muaj më parë, në një tjetër bankë të së njëjtës zonë, ku u morën rreth 15 mijë euro.
“Protothema” shkruan se autoritetet shqiptare e kishin mbajtur Dukën nën vëzhgim për disa ditë, pasi dyshohej se po përgatitej të largohej drejt Greqisë. Në artikull përmendet gjithashtu se ai jetonte në Vlorë, por kishte marrë me qira një banesë në Tiranë, të cilën dyshohet se e përdorte si bazë qëndrimi.
Një tjetër detaj i publikuar lidhet me bashkëshorten e tij, e cila punon në një institucion tjetër bankar në Shqipëri.
Arrestimi u krye pranë Rrugës së Kosovarëve në Tiranë. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi 8,200 euro, dy telefona celularë dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Identifikimi i 50-vjeçarit u bë përmes metodave speciale të hetimit, sistemeve teknologjike dhe analizimit të veshjeve, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dy grabitjet dhe për të verifikuar lidhjet e tij të mundshme me aktivitetin kriminal në Greqi.













