Transporti hekurudhor i udhëtarëve në Kosovë është pezulluar, pasi punonjësit e ndërmarrjes publike Infrakos kanë nisur një grevë për rritjen dhe indeksimin e pagave, si dhe për përmirësimin e kushteve të punës.

Greva, e nisur këtë të hënë, më 9 nëntor, ka paralizuar edhe linjën e vetme hekurudhore që ishte në funksion, atë Prishtinë-Pejë, duke lënë udhëtarët pa transport me tren.

Sipas njoftimit të kompanisë Trainkos, treni që duhej të nisej nga Prishtina në orën 07:50 nuk ka mundur të vijojë itinerarin dhe është ndalur në Fushë Kosovë, për shkak të ndërprerjes së shërbimeve infrastrukturore nga Infrakos.

Punonjësit kërkojnë indeksimin e pagave për të gjitha kategoritë, në mënyrë që shpërblimi financiar të reflektojë kualifikimet dhe përgjegjësitë e secilës pozicion pune.

Përfaqësuesi i Këshillit Grevist, Hysen Nikqi, ka deklaruar se pakënaqësitë janë shtuar pas vendimit për rritjen e pagës minimale në 500 euro nga korriku, ndërsa pagat e kategorive të tjera nuk kanë pësuar ndryshime proporcionale.

Sipas tij, diferenca mes pagave të inxhinierëve dhe punonjësve teknikë është ngushtuar ndjeshëm, duke mos reflektuar më përgjegjësitë dhe nivelin e kualifikimit.

Mes kërkesave të tjera të punonjësve, të cilët janë rreth 200 në total, janë edhe rritja e kompensimit për ushqimin dhe përfitimi retroaktiv i pagesave për tre muajt e fundit.

Sindikata paralajmëron se greva do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave, ndërsa thekson se për këtë situatë kishte paralajmëruar edhe përmes një proteste të zhvilluar më 26 tetor në Fushë Kosovë.

Ndërkohë, deri në raportimin e fundit, drejtuesit e Infrakosit nuk kishin dhënë një përgjigje lidhur me kërkesat e punonjësve dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.

Ndërprerja e shërbimit hekurudhor shton vështirësitë për sektorin e transportit në Kosovë, i cili prej kohësh përballet me probleme infrastrukturore dhe mungesë investimesh.