Arrestimi i 50-vjeçarit Robert Duka në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e mediave greke, të cilat kanë publikuar detaje mbi të kaluarën e tij dhe dyshimet për përfshirje në një seri grabitjesh bankash në Greqi.
Sipas medias greke “Protothema”, Duka, i njohur edhe me emrin Albert Duka, është akuzuar më herët si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që dyshohet se ka kryer 28 grabitje bankash në shtetin fqinj.
50-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit policor “Gjuetari i Bankave”, pasi dyshohet si autor i dy grabitjeve të armatosura në Tiranë, të regjistruara më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026, në zonën e Komunës së Parisit. Nga këto dy ngjarje dyshohet se janë përvetësuar rreth 75 mijë euro.
Grabitja e fundit ndodhi më 2 nëntor, rreth orës 10:45, kur një person i maskuar dhe i veshur me të zeza mbërriti në një filial bankar me një skuter elektrik. Pasi hyri në ambientet e bankës, ai mbylli derën për të penguar daljen e personave që ndodheshin brenda dhe kërcënoi me armë punonjësin e sigurisë dhe arkëtaren.
Autori arriti të marrë rreth 60 mijë euro në valuta të ndryshme, përpara se të largohej me skuter. Ndërsa grabitja e parë ishte kryer pesë muaj më herët, në të njëjtën zonë, ku dyshohet se u morën rreth 15 mijë euro.
Sipas raportimeve greke, autoritetet shqiptare e kishin mbajtur Dukën nën vëzhgim për disa ditë, pasi dyshohej se po përgatitej të largohej sërish drejt Greqisë.
50-vjeçari, i cili jetonte në Vlorë, kishte marrë gjithashtu me qira një banesë në Tiranë, që dyshohet se e përdorte si vendstrehim. Ai u lokalizua dhe u arrestua pranë Rrugës së Kosovarëve.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 8,200 euro, dy telefona celularë dhe disa veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Një tjetër detaj i bërë publik nga mediat greke lidhet me bashkëshorten e tij, e cila raportohet se punon në një institucion bankar në Shqipëri.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të dy grabitjeve në kryeqytet, si dhe për verifikimin e lidhjeve të mundshme të 50-vjeçarit me aktivitetin kriminal në Greqi.
