Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është dënuar me 10 vite e gjashtë muaj burg, pasi u shpall fajtor për përdhunim dhe sulme seksuale ndaj katër grave, në ngjarje të ndodhura mes viteve 2004 dhe 2009.
Gjatë seancës së dënimit, gjykatësi Joel Bennathan e cilësoi Brand si një “grabitqar seksual”, duke kritikuar atë që e përshkroi si arrogancë të jashtëzakonshme. Sipas gjykatësit, fama e kishte bërë atë të besonte se mund të vepronte si të donte dhe kur të donte, duke shpërfillur të drejtën e grave për të refuzuar.
Dënimi përfshin nëntë vite burg për përdhunimin e një 21-vjeçareje në vitin 2009, në banesën e tij në Londër. Për tre raste të tjera të sulmit seksual, Brand u dënua përkatësisht me 18 muaj, nëntë muaj dhe tetë muaj burg.
Ngjarjet për të cilat u shpall fajtor përfshijnë një sulm në një lokal në Londër gjatë një feste ditëlindjeje në vitin 2004, ku ai kapi gjoksin e një gruaje; një tjetër rast në studiot e Choice FM në vitin 2004 ose 2005, ku kapi një grua nga fytyra, e puthi dhe më pas e preku në gjoks dhe të pasme; si dhe një sulm gjatë punës për një projekt të Channel 4 në vitin 2009, kur vendosi kokën në zonën intime të një kolegeje pa pëlqimin e saj.
Gjatë seancës u lexuan edhe deklaratat e viktimave, të cilat treguan pasojat që ngjarjet kishin lënë në jetën e tyre. Njëra prej tyre tha se kishte kaluar vite në gjendje tronditjeje dhe ankthi, duke humbur respektin për veten dhe duke u ndier e traumatizuar.
Një tjetër grua, e sulmuar seksualisht në vitin 2005, deklaroi se ngjarja kishte ndikuar për një kohë të gjatë në jetën e saj. Ajo tha se dëgjimi i zërit të Brand në televizion ose shikimi i imazhit të tij i shkaktonte reagime të forta dhe se shpresonte që ai të mos kishte më mundësi të lëndonte gra të tjera.
Edhe gruaja që u përdhunua në vitin 2009 foli për pasojat e rënda psikologjike dhe fizike. Ajo tha se kishte pasur vështirësi për të fjetur dhe për të ngrënë, ishte detyruar të largohej për një periudhë nga puna dhe të kërkonte mbështetje te familja. Gjithashtu, tregoi se kishte jetuar me frikën se mund të ishte infektuar me HIV dhe se pas sulmit kishte pasur dhimbje të konsiderueshme.
Një tjetër viktimë, e sulmuar gjatë punës për një projekt të Channel 4, tha se kishte humbur besimin te njerëzit dhe ishte ndier e pambrojtur në mjedisin e saj të punës.
Gjykatësi vlerësoi guximin e grave që dëshmuan gjatë procesit gjyqësor. Ai theksoi gjithashtu se fama e Brand kishte ndihmuar në mbrojtjen e tij deri në vitin 2023, kur gazetarë të “Sunday Times”, “The Times” dhe emisionit “Dispatches” të Channel 4 publikuan një seri akuzash për sjelljen e tij, duke nxitur më pas gra të denonconin rastet në polici.
Sipas gjykatësit, edhe personat që e rrethonin gjatë periudhës së famës së tij kishin toleruar sjelljen e papranueshme të aktorit.
Brand nuk reagoi në sallën e gjyqit kur iu komunikua dënimi. Para se të dërgohej në qeli, ai i tha pa zë bashkëshortes së tij, Laura Brand, e cila ndodhej në sallë: “Të dua”.
Gjatë procesit, avokati mbrojtës Ian Winter paraqiti gjashtë letra referimi për karakterin e Brand, mes tyre edhe një nga Georgina Baillie, mbesa e aktorit të ndjerë Andrew Sachs. Baillie ishte përfshirë në një polemikë publike në vitin 2008, pasi Brand dhe Jonathan Ross kishin lënë mesazhe fyese në sekretarinë telefonike të gjyshit të saj gjatë një transmetimi në Radio 2.
Avokati tha gjithashtu se bashkëshortja e Brand po përjetonte një gjendje “shkatërrimi të plotë” pas vendimit të gjykatës. Ai shtoi se çifti po përpiqej të gjente mënyrën për t’i shpjeguar fëmijës së tyre, që sapo kishte mbushur 10 vjeç, atë që kishte ndodhur.
Në përgjigje, gjykatësi tha se ishte i vetëdijshëm që burgosja do t’i privonte fëmijët e Brand nga prania e të atit, por theksoi se kjo humbje ishte pasojë e drejtpërdrejtë e veprave të tij.
Vendimet për fajësinë u shpallën të enjten, pas një gjyqi katërjavor në Gjykatën e Southwark në Londër. Brand u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera për përdhunim dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm.
Sipas rregullave britanike, të dënuarit me të paktën katër vite burg për disa vepra të rënda seksuale mund të lirohen pasi të kenë vuajtur dy të tretat e dënimit. Në rastin e Brand, kjo periudhë përllogaritet në shtatë vite. Pas lirimit, ai pritet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit nën mbikëqyrje dhe me kushte të posaçme, përfshirë mbajtjen e një pajisjeje elektronike gjurmimi.
Dënimi i tij nuk përfshihet në skemën e lirimit të parakohshëm, nga e cila përjashtohen personat e dënuar për krime seksuale dhe vrasje. Gjithashtu, Brand do të regjistrohet automatikisht në regjistrin britanik të personave të dënuar për vepra seksuale.


