Vodhi bankën në mes të Tiranës, Robert Duka i akuzuar për 28 grabitje në Greqi
Arrestimi i 50-vjeçarit Robert Duka në Tiranë ka rikthyer në vëmendje edhe të kaluarën e tij në Greqi, ku dyshohet se ka pasur lidhje me një grup kriminal të përfshirë në një seri grabitjesh bankash. Mediat greke kanë publikuar detaje nga aktiviteti i tij i mëparshëm, duke raportuar se ai ishte akuzuar për përfshirje në një organizatë që dyshohet se ka kryer plot 28 grabitje bankash në vendin fqinj.
Sipas raportimit të medias greke “Protothema”, Duka, i njohur edhe me emrin Albert Duka, ishte përfshirë më herët në hetime për një grup të strukturuar kriminal që dyshohej se vepronte në territorin grek. Këto të dhëna marrin një rëndësi të veçantë pas arrestimit të tij në Shqipëri, ku autoritetet e dyshojnë si autor të dy grabitjeve të armatosura në Tiranë.
50-vjeçari u vu në pranga gjatë operacionit policor të koduar “Gjuetari i Bankave”, pas hetimeve për dy ngjarje kriminale të regjistruara më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026, në zonën e Komunës së Parisit. Nga të dyja grabitjet dyshohet se janë përvetësuar rreth 75 mijë euro.
Grabitja e fundit me skuter elektrik, 60 mijë euro të marra nga banka
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, ngjarja e fundit ndodhi më 2 nëntor, rreth orës 10:45. Autori, i maskuar dhe i veshur me rroba të zeza, mbërriti pranë filialit bankar me një skuter elektrik, duke përdorur këtë mjet edhe për t’u larguar pas grabitjes.
Pasi hyri në ambientet e bankës, ai mbylli derën për të penguar personat brenda që të dilnin dhe më pas kërcënoi me armë punonjësin e sigurisë dhe arkëtaren. Nën kërcënimin e armës, arriti të marrë rreth 60 mijë euro në valuta të ndryshme, përpara se të largohej me skuterin elektrik.
Kjo ishte grabitja e dytë që dyshohet se kishte kryer në të njëjtën zonë brenda një periudhe prej pesë muajsh. Sulmi i parë ishte regjistruar më 2 qershor, në një tjetër filial bankar në Komunën e Parisit, ku ishin marrë rreth 15 mijë euro.
Dyshimet se do të largohej drejt Greqisë, jetonte në Vlorë dhe kishte marrë një banesë me qira në Tiranë
Një nga elementet që përmendet në raportimet greke lidhet me dyshimet e autoriteteve shqiptare se Duka mund të largohej sërish drejt Greqisë. Për këtë arsye, ai ishte mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, ndërsa hetuesit përpiqeshin të dokumentonin lëvizjet dhe aktivitetin e tij.
50-vjeçari jetonte në Vlorë, por kishte marrë gjithashtu me qira një apartament në Tiranë, i cili dyshohet se shërbente si vendstrehim gjatë qëndrimit në kryeqytet. Një tjetër detaj i bërë publik është se bashkëshortja e tij punon në një institucion tjetër bankar në Shqipëri.
Operacioni për arrestimin e tij u finalizua pranë Rrugës së Kosovarëve në Tiranë. Gjatë kontrolleve, efektivët sekuestruan 8,200 euro, dy telefona celularë dhe disa veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së grabitjeve.
Si u identifikua autori pavarësisht maskimit?
Sipas autoriteteve shqiptare, identifikimi i Robert Dukës u bë i mundur përmes metodave speciale të hetimit, përdorimit të sistemeve teknologjike dhe analizimit të detajeve të veshjeve të përdorura gjatë ngjarjeve kriminale.
Pavarësisht masave që dyshohet se kishte marrë për të fshehur identitetin dhe fytyrën, hetuesit arritën të krijonin një tablo të lëvizjeve të tij dhe të siguronin të dhëna që çuan në arrestimin.
Tashmë, përveç dy grabitjeve të armatosura në Tiranë, në fokus të hetimeve është edhe verifikimi i së kaluarës së tij në Greqi dhe i lidhjeve të mundshme me grupin që dyshohet për 28 grabitje bankash. Hetuesit synojnë të zbardhin nëse aktiviteti i pretenduar kriminal në të dyja vendet ka pasur ndërlidhje dhe nëse Duka ka qenë pjesë e një rrjeti më të gjerë kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



