Dorian Puka sfidon mediat britanike: I shkruajta Nigel Farage, nuk bëj pazar për letrat!
“Më ofrojnë para, por i refuzoj”
Dorian Puka, shqiptari që prej vitesh është kthyer në një personazh të komentuar nga mediat britanike, ka publikuar komunikime me gazetarë dhe drejtues emisionesh televizive, duke pretenduar se disa prej tyre i kanë ofruar pagesë për të dalë në ekran.
Puka, i cili ka një të kaluar kriminale në Mbretërinë e Bashkuar dhe është dënuar më parë për vjedhje banesash, pretendon se mediat që e kritikojnë publikisht përpiqen njëkohësisht ta bindin të marrë pjesë në emisionet e tyre.
Në postimet e tij në rrjetet sociale, ai shprehet se nuk dëshiron të përfitojë financiarisht nga intervistat dhe i akuzon disa media se ndërtojnë histori për të tërhequr audiencë, pa pasur njohuri të plota për jetën e tij.
Sipas Pukës, gazetarë të GB News e trajtojnë atë si një problem për politikat britanike të emigracionit gjatë diskutimeve televizive, ndërsa jashtë kamerave i kontaktojnë me ftesa për intervista, dreka dhe darka.
Ai pretendon se edhe gazeta si “Daily Mail” dhe “The Telegraph” i kanë ofruar shuma parash për të qenë pjesë e emisioneve apo reportazheve të tyre, por se i ka refuzuar këto propozime.
“Nëse jam kaq i keq, pse më ftoni në emision?”
Në mesazhet e publikuara, Puka u drejtohet përfaqësuesve të GB News me tone të ashpra, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, pasqyrohet historia e tij.
Ai i akuzon për përhapje të informacioneve të pavërteta dhe u kërkon të mos e kontaktojnë më për intervista. Në një prej reagimeve, shqiptari shkruan se nuk ka interes për paratë e ofruara dhe se nuk dëshiron të bëhet pjesë e asaj që e cilëson si media të rreme.
Në shënjestër të tij ka përfunduar edhe Nigel Farage, politikani britanik i Reform UK dhe drejtues i një emisioni në GB News.
Puka thotë se i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Farage, duke i kërkuar të ndalojë kontaktet përmes bashkëpunëtorëve të tij, pasi nuk ka ndërmend të marrë pjesë në program.
Megjithatë, në një komunikim tjetër, ai ka lënë të hapur mundësinë e paraqitjes në emision, por me një kusht: Farage të ndërhyjë për t’i siguruar dokumentet e qëndrimit në Britani.
E kaluara kriminale dhe betejat për të qëndruar në Britani
Emri i Dorian Pukës është përmendur prej vitesh në mediat britanike për shkak të dënimeve të tij dhe rikthimeve në Mbretërinë e Bashkuar pas dëbimit.
Në vitin 2016, ai u dënua me nëntë muaj burg pasi tentoi të hynte me forcë në një banesë. Pronari kishte arritur ta dallonte përmes një kamere sigurie, ndërsa ndodhej me pushime në Francë. Pas vuajtjes së dënimit, Puka u deportua në vitin 2017.
Megjithatë, ai u rikthye në Britani dhe u përfshi në një seri vjedhjesh në banesa në Londër. Arrestimi i tij u bë në zonën e Surbitonit, në jugperëndim të kryeqytetit britanik, ku policia e kapi me një orë të shtrenjtë që dyshohet se ishte vjedhur.
Për këtë rast, ai u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg dhe u deportua në mars të vitit 2020. Më pas, sipas raportimeve, u rikthye sërish në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Qëndrimi i tij në Britani është bërë objekt i një beteje të gjatë ligjore me autoritetet e emigracionit. Pavarësisht se dënimet e mëparshme e bëjnë subjekt të procedurave për dëbim, Puka ka vijuar të qëndrojë në vend për shkak të kërkesave për azil dhe sfidave ligjore.
Në një seancë të zhvilluar së fundmi në gjykatën e apelit për emigracionin, ai humbi një tjetër përpjekje për të siguruar të drejtën e qëndrimit, pasi kërkesat e tij për azil ishin refuzuar më parë nga Ministria e Brendshme britanike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



