Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, paraqiti në mbledhjen e grupit të Partisë Popullore Europiane (EPP) situatën politike në Shqipëri, duke ngritur shqetësimet për dhunën e policisë ndaj protestuesve dhe presionin e qeverisë mbi median.
Në këtë kuadër, ajo denoncoi sulmet ndaj News24, Syri TV dhe mediave të tjera, si dhe intimidimin e gazetarëve.
Prezantimi u bë një ditë përpara mbledhjes së Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian (AFET), ku do të diskutohet për Shqipërinë. Tabaku e lidhi situatën në vend me pasojat për ekonominë, shtetin ligjor dhe procesin e integrimit europian.
“Një sistem që godet ekonominë dhe shtetin ligjor, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë integrimin europian dhe rrezikojnë të ardhmen e vendit”, u shpreh ajo.
Duke folur për protestat, deputetja ngriti shqetësimin për dhunën policore ndaj qytetarëve. Ajo denoncoi gjithashtu ligjin kundër tubimeve, të cilin e cilësoi antikushtetues, duke bërë të ditur se PD-ja, shoqëria civile dhe studentët e kanë çuar atë në Gjykatën Kushtetuese.
Liria e medias ishte një tjetër çështje e paraqitur në mbledhjen e EPP-së. Tabaku i përfshiu sulmet ndaj News24, Syri TV dhe mediave të tjera në shqetësimin më të gjerë për atë që e cilësoi si presion autoritar të qeverisë ndaj medias dhe gazetarëve.
“Shqiptarët e duan vendin e tyre në BE. Edhe Europa e do Shqipërinë pjesë të saj. Edi Rama do vetëm pushtetin e tij”, deklaroi Tabaku.
Ajo e përmbylli mesazhin me thirrjen: “Është koha për ndryshim!”














