Kërkesa e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, për provimin e jurisprudencës vijon të mbetet e pazgjidhur.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të qartë se provimi nuk do të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe, duke propozuar që vetëm pjesa teorike të mund të jepet në gjuhën në të cilën kandidatët kanë përfunduar studimet. Ndërsa pjesa praktike, që përfshin simulimin e procedurave gjyqësore penale dhe civile, sipas tij, duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase, raporton Portalb.mk.
Sipas propozimit të kryeministrit, kandidatët do të kenë mundësi të testohen në shqip, turqisht ose anglisht për pjesën teorike, por jo për të gjithë provimin.
“Nuk do të ketë kërkesë dhe as zgjidhje përmes së cilës provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe. Zgjidhja që do t’i ofrohet Qeverisë në seancë përmban dy pjesë: pjesa e parë thotë se studentët do të kenë mundësi që pjesën e cila lidhet me studimet e tyre deridiplomike në gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase që nënkupton në shqip, turqisht dhe anglisht, të testohen në gjuhën në të cilën kanë studiuar. Në pjesë ku stimulohet procesi gjyqësor në pjesën e procedurës penale dhe procedurës civile do të jetë në përputhje me linjën maqedonase”- tha ai.
Ky qëndrim nuk përmbush kërkesën kryesore të rreth 400 studentëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që provimin e jurisprudencës ta zhvillojnë plotësisht në gjuhën shqipe, ashtu siç kanë ndjekur edhe studimet universitare.










