Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Prime News24”, ka komentuar përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u shprehur se tensionet mes tyre mund të lidhen edhe me arsye të tjera politike, veçanërisht me afrimin e zgjedhjeve.
Sipas Lalës, fërkimi mes dy figurave nuk lidhet domosdoshmërisht me çështjet penale, por edhe me ndikimin që ka Bashkia e Tiranës. Ajo theksoi se humbja e kontrollit mbi bashkinë do të nënkuptonte humbjen e një pushteti të rëndësishëm financiar dhe politik.
Gazetarja u ndal edhe te transferimi i Veliajt nga paraburgimi në burgun e Fierit, duke e cilësuar atë të panevojshëm. Lala kundërshtoi gjithashtu përpjekjet për ta paraqitur kryebashkiakun si të burgosur politik, ndërsa kritikoi mënyrën se si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e justifikoi transferimin me argumentin se bëhej fjalë për një sekret shtetëror.
“Ka një fërkim mes Veliajt dhe kryeministrit, që nuk besoj se vjen për çështje të akuzave, por për arsye të tjera, për më tepër që po afrohen zgjedhjet. Dihet që nëse ikën Bashkia e Tiranës, ikën edhe pushteti financiar dhe ndikimi”, u shpreh Lala.
Më tej, ajo deklaroi se nuk qëndron përpjekja për ta trajtuar Veliajn si të burgosur politik, por shtoi se transferimi i tij në burgun e Fierit nuk ishte i nevojshëm.
“Përpjekja për ta trajtuar Veliajn si të burgosur politik nuk qëndron. Megjithatë, transferimi i tij në burgun e Fierit ishte i panevojshëm. Përpjekja për të thënë se është sekret i madh shtetëror, mendoj se ishte një urdhër i Ramës dhe një budallallëk i drejtoreshës së Burgjeve. Ajo e ka të drejtën ligjore të transferojë çdo të burgosur apo të dënuar kur mendon se kjo përputhet me nevojat. Nuk kishte nevojë të tregonte përralla sikur transferimi ishte sekret shtetëror”, deklaroi gazetarja.
