Gazetari Armand Shkullaku ka komentuar ndryshimin e perceptimit të kryeministrit Edi Rama në mediat ndërkombëtare, duke deklaruar se imazhi i tij si një politikan ekzotik dhe artistik po zëvendësohet nga një qasje më kritike ndaj mënyrës se si ai përballet me gazetarët dhe pyetjet e pakëndshme.
I ftuar në SYRI TV, Shkullaku u shpreh se për një kohë të gjatë mediat e huaja e kanë portretizuar Ramën përmes figurës së artistit, ish-basketbollistit dhe politikanit që i dha ngjyra Tiranës. Sipas tij, kjo qasje ka ndryshuar dhe tashmë vëmendja ndërkombëtare është përqendruar edhe te zhvillimet problematike në Shqipëri dhe te sjellja e kryeministrit në intervista.
“Problemi është që Rama tashmë nga ekzotik po shikohet si despotik. Ky është ndryshimi që ka ndodhur”, deklaroi Shkullaku.
Gazetari solli në vëmendje disa prej përballjeve të Ramës me gazetarë të huaj, duke përmendur intervistën për emisionin investigativ italian Rai 3, përplasjen me gazetarin e CNN-it dhe një tjetër intervistë të komentuar më herët në media.
Sipas Shkullakut, në këto raste kryeministri ka reaguar ashpër kur është pyetur për çështje të caktuara, duke e lidhur këtë sjellje me vështirësinë e tij për të dhënë përgjigje përballë pyetjeve kritike.
“Pra, këtu Rama është i njëjti. Është i njëjti satrap që nuk duron dot një intervistë ku atij i tregohet e vërteta, ose pyetet për të vërtetat”, u shpreh ai.
Shkullaku komentoi edhe intervistën e fundit të Ramës me një personazh të platformës britanike Channel 5, duke pretenduar se kryeministri fillimisht mund ta ketë ngatërruar atë me Channel 4. Sipas gazetarit, mënyra se si u zhvillua intervista dhe pyetjet e drejtuara ndaj Ramës kanë ndikuar në reagimin e tij.
Më tej, ai theksoi se përgjegjësia e një kryeministri është t’u përgjigjet pyetjeve dhe të japë llogari jo vetëm përballë gazetarëve, por edhe qytetarëve që i kanë dhënë mandatin për të qeverisur.
“Duhet t’u përgjigjesh pyetjeve, duhet të përballosh dhe kur reflektohen të vërtetat”, deklaroi Shkullaku, duke shtuar se, sipas tij, Rama ka reaguar në mënyrë të ngjashme edhe në përballjet e mëparshme me gazetarët shqiptarë.













