Çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie të ndjeshme të hënën, me naftën e papërpunuar Brent që ka rënë për 5.02 për qind, duke zbritur në 93.38 dollarë për fuçi.
Sipas të dhënave të publikuara nga Trading Economics, kjo është ndër rëniet e fundit në vazhdën e presionit që ka përfshirë tregjet e energjisë.
Edhe agjencia Reuters raporton se kontratat e së ardhmes për naftën Brent kanë rënë për gati 5 për qind, duke arritur në 93.75 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë sesionit tregtar çmimi ka prekur nivelin prej 92.80 dollarësh.
Rënia e çmimeve lidhet kryesisht me pritjet për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një sulm i ri ushtarak ndaj Iranit është shumë pak i mundshëm, nëse përparojnë negociatat për përfundimin e konfliktit dhe arritjen e një marrëveshjeje.
Këto deklarata kanë shtuar pritjet e investitorëve për uljen e rrezikut të ndërprerjes së furnizimit me naftë, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Megjithatë, situata e sigurisë në rajon mbetet e paqëndrueshme. Reuters raporton se janë regjistruar sulme ndaj anijeve pranë Ngushticës së Hormuzit, ndërsa janë raportuar edhe sulme ndaj infrastrukturës energjetike në Arabinë Saudite.
Rënia e së hënës vjen pas një jave tjetër me humbje të mëdha për tregun e naftës. Sipas Reuters, nafta Brent kishte shënuar rënie prej rreth 16 për qind gjatë javës së kaluar, rënia më e madhe javore që nga fillimi i pandemisë COVID-19.
Ndërkohë, edhe nafta amerikane WTI ka shënuar rënie, duke u tregtuar në rreth 87 dollarë për fuçi.